Reforma e kësaj takse të fshehtë është vonuar prej kohësh – dhe bashkë me të, një tronditje e të gjithë sistemit universitar.
Nga Gaby Hinsliff
Mos hyni kurrë në luftë me Martin Lewis. Ligji i vetëm i hekurt i politikës është se guruja financiare që ndërtoi moneysavingexpert.com gëzon në Britani një status pothuajse hyjnor; njeriu të cilit miliona i besojnë paratë e tyre në një mënyrë që nuk do t’ia besonin kurrë asnjë politikani. Nëse ai merr përsipër një kauzë, zakonisht fiton. Prandaj, kur Lewis iu bashkua revoltës kundër ndryshimeve të fundit në sistemin e kredive studentore, duke u bërë thirrje të diplomuarve të rinj të lobojnë te deputetët e tyre në shenjë proteste, telashet ishin të pashmangshme.
Dhe tani duket se kanë mbërritur. Javën e kaluar, udhëheqësi i Partisë së Gjelbër, Zack Polanski, kërkoi “një bisedë për faljen e borxhit studentor”, duke jehuar një thirrje që u dëgjua mes votuesve të rinj demokratë në zgjedhjet e fundit në SHBA për shlyerjen më të shpejtë të kredive (ndonëse pa shpjeguar se ku do t’i gjente miliardat që kjo do të kushtonte). Pak më pas, pesë ish-sekretarë arsimi – përfshirë laburistin David Blunkett – mbështetën publikisht një fushatë të Sunday Times për reforma më modeste në financimin studentor. Duket se zemërimi i zier ngadalë i të diplomuarve që studiuan në Angli dhe Uells midis viteve 2012 dhe 2023 – në një skemë që i goditi me norma më të larta interesi se ata para apo pas tyre – më në fund po ndez Westminsterin.
Shlyerjet e kredisë studentore deri në 9% nënkuptojnë se disa prej këtyre të diplomuarve të ashtuquajtur “Plani 2” përballen me norma efektive tatimore marxhinale 49% ose më shumë në Angli dhe Uells, ndërkohë që edhe super-të pasurit paguajnë vetëm 45%. Është një padrejtësi brezash që të revolton: pse të rinjtë po shtrydhen proporcionalisht më fort, në disa raste, sesa shefat e tyre? A nuk është mjaftueshëm e vështirë të kursesh për një apartament të parë apo të krijosh familje, pa u varur edhe më shumë gurë në qafë?
Pastaj është ndjesia dëshpëruese e hedhjes së parave në një humnerë pa fund. Meqë vetëm fituesit më të mëdhenj do të arrijnë ndonjëherë të paguajnë mjaftueshëm për të kapërcyer interesin në rritje dhe ta shlyejnë realisht kredinë, shumë të tjerë po kuptojnë se, pavarësisht viteve të pagesave të ndërgjegjshme, borxhi i tyre është rritur dhe jo zvogëluar. (Edhe gjatë lejes së lindjes, interesi vazhdon të rritet pa mëshirë.) Deputetja laburiste 29-vjeçare Nadia Whittome vuri në dukje së fundmi se edhe ajo ka arritur të ulë vetëm 1 000 paund nga një borxh prej 49 600 paundësh pas gjashtë vitesh me pagë deputeti – kështu që si pritet ta bëjë dikush tjetër? Edhe pse çdo shumë e mbetur fshihet pas 30 vitesh, kjo i lë potencialisht duke paguar deri në moshë të mesme për vendime të marra që në gjimnaz.
Ajo që i shtyu përfundimisht drejt rebelimit ishte vendimi i kancelares Rachel Reeves për të ngrirë pragun e të ardhurave (niveli i pagës kur fillojnë shlyerjet) në 29 385 paund për Planin 2 deri në vitin 2030, duke u marrë edhe disa miliona të tjera. Argumenti i saj se të diplomuarit tani janë më mirë falë rënies së normave të interesit nuk bindi Lewis-in, i cili thotë se kjo nuk ishte ajo për të cilën ata ranë dakord dhe se ndryshimi i rregullave në mes të lojës nuk është “gjë morale”. Në skenë hyjnë të Gjelbrit, që në manifestin e fundit premtuan shfuqizimin e plotë të kredive studentore dhe që tani duken të etur të përfitojnë nga epërsia në rritje ndaj laburistëve mes nën-30-vjeçarëve, sipas sondazheve të YouGov.
Falja e borxhit studentor nuk ishte dikur pjesë e debatit politik në këtë anë të Atlantikut – por as largimi nga universiteti me borxh mesatar 53 000 paundësh, ose më shumë nëse bën master, siç ndodh gjithnjë e më shpesh në një treg pune jashtëzakonisht konkurrues. Madje, studentët anglezë diplomohen tani me borxhe mesatare më të larta se amerikanët, sistemi i të cilëve ka qenë gjithmonë sinonim i tarifave të kripura. Reagimi ka gjasa vetëm të rritet, ndërsa brezi pas vitit 2023 nis të diplomohet në një treg pune pa mjaftueshëm vende reale për të diplomuar – madje edhe para se inteligjenca artificiale të fillonte të përpinte punët fillestare.
Britania mund të jetë në prag të një tranzicioni të dhimbshëm drejt taksave më të larta për të gjithë, nëse dëshiron të riparojë shërbimet publike dhe të forcojë mbrojtjen përballë kërcënimeve globale. Dividendi i gjatë i paqes që bëri të mundur gjëra si arsimi universitar falas ka marrë fund, i zëvendësuar nga një botë më e pasigurt. Por ta nisësh këtë tranzicion duke shtrydhur të rinjtë, në vend të atyre që përfituan nga vitet e mira, duket krejtësisht e gabuar. Nëse jemi bashkë në këtë situatë, edhe brezat duhet të jenë bashkë.
Opsioni më i drejtë ndoshta është vendosja e një kufiri se sa duhet të paguajë një student gjatë jetës, në mënyrë që kreditë të kenë një lidhje me shumën e marrë dhe të mos shndërrohen në një taksë të fshehtë për të diplomuarit. Por kjo do të ishte e kushtueshme dhe me shumë gjasë do të kërkonte riformësim të sistemit universitar.
Më shumë praktika profesionale mund të jenë pjesë e zgjidhjes, por ato nuk krijohen nga hiçi. Në të vërtetë, Britania ka shpenzuar shumë kohë duke debatuar sa njerëz duhet të shkojnë në universitet dhe jo mjaftueshëm duke menduar çfarë bëjnë ata atje. Një mundësi është ofrimi i diplomave më të shkurtra dhe më të lira, duke ngjeshur tre vite studimi në dy – diçka që mund të jetë më e lehtë sot, kur shumë universitete kanë reduktuar orët e mësimit ose kanë kaluar në dy semestra.
Por nëse qeveria ka ide më të mira, le t’i dëgjojmë sa më shpejt. Të rinjtë, natyrisht, nuk kanë kohë për të humbur.
*Gaby Hinsliff është kolumniste e The Guardian/ Përgatiti për botim: L.Veizi
