Last Updated on 21/02/2026 by Anisa
Kreu i Partia Demokratike e Shqipërisë, Sali Berisha, ka shpërndarë një mesazh drejtuar strukturave drejtuese dhe simpatizantëve të forcës politike që ai udhëheq, ku i falënderon për angazhimin në aktivitetin e 20 shkurtit, të cilin e konsideron një tjetër sukses në rrugëtimin e tyre politik.
Në komunikimin e tij, Berisha vlerëson përkushtimin dhe mobilizimin e anëtarëve dhe mbështetësve, duke theksuar se data 20 shkurt përbën një moment të rëndësishëm për partinë. Ai e cilëson këtë arritje si një hap të mëtejshëm në atë që e quan “kryengritje paqësore”, ndërsa shton se jehona e aktivitetit ka qenë e gjerë, si në opinionin publik vendas ashtu edhe në atë ndërkombëtar.
Njëkohësisht, kreu i PD-së u bën thirrje strukturave të partisë që të angazhohen menjëherë në organizimin e protestës së paralajmëruar për 28 shkurt. Sipas tij, puna në terren mbetet thelbësore për të siguruar pjesëmarrje sa më të madhe në tubimin e radhës.
Mesazhi i është drejtuar anëtarëve të Kryesisë së PD-së, drejtuesve politikë në qarqe, kryetarëve të degëve, deputetëve të grupit parlamentar, drejtuesve dhe këshilltarëve vendorë, si edhe anëtarëve të Këshillit Kombëtar dhe të gjithë mbështetësve të partisë.
Në përmbyllje të njoftimit, Berisha kërkon mobilizim të plotë të strukturave, duke theksuar se organizimi i protestës së 28 shkurtit është përparësi kryesore. Ai bën të ditur se ora dhe vendi i zhvillimit të tubimit do të njoftohen në vijim.
Njoftimi i PD:
Drejtuar: Anëtarëve të Kryesisë së Partisë Demokratike, drejtuesve politikë të qarqeve, kryetarëve të degëve të PD-së, deputetëve të grupit parlamentar, kryetarëve dhe këshilltarëve të bashkive, anëtarëve të Këshillit Kombëtar dhe të gjithë anëtarëve e mbështetësve tanë!
Të dashur miq,
Me këtë mesazh dua t’ju përgëzoj përzemërsisht të gjithëve për suksesin e ri shumë të rëndësishëm që arritëm më 20 shkurt, falë angazhimit, përkushtimit, guximit dhe vendosmërisë suaj.
Dje, në një datë historike, shënuam për opinionin publik kombëtar dhe ndërkombëtar një fitore të re tejet të çmuar për suksesin përfundimtar të kryengritjes sonë paqësore. Jehona e këtij suksesi pushtoi dje, me shpejtësi të pashembullt, hapësirën e komunikimit si dhe mendjet e zemrat e shqiptarëve dhe të njerëzve të lirë në mbarë botën.
Ndaj, duke filluar nga nesër, me energjinë dhe frymëzimin e 20 shkurtit, të nisim me përkushtim betejën e ardhshme! Të trokasim në çdo derë, në çdo lagje, bllok, rrugë e rrugicë, në çdo fshat e qendër pune, për të garantuar pjesëmarrjen më masive të shqiptarëve në protestën e ditës së shtunë, më datë 28 shkurt.
Kjo është përparësia jonë! Mobilizoni të gjitha forcat dhe energjitë për përmbushjen e këtij misioni!
Përshëndetje të përzemërta.
Fitore!
Miqësisht,
Sali Berisha
Ps Ora, vendi do ju njoftohen te hënen.
