Kancelari gjerman, Friedrich Merz, deklaroi të hënën se rezistenca e Ukrainës ndaj sulmeve ruse është më efektive sesa shpesh paraqitet në media, duke theksuar fitore të papritura territoriale gjatë muajit shkurt.
Në një fjalim në Berlin, Merz u shpreh se forcat mbrojtëse ukrainase kanë arritur përparime të konsiderueshme në terren, ndërsa, sipas tij, ekonomia ruse po përballet me vështirësi serioze për shkak të sanksioneve ndërkombëtare dhe kostove të luftës.
“Shkurti solli fitore të habitshme territoriale nga forcat ukrainase dhe ekonomia ruse po kërcet nën peshën e sanksioneve dhe luftës – më shumë sesa mund të kuptohet ndonjëherë nga raportimet tona mediatike”, tha ai.
Kancelari gjerman komentoi gjithashtu përjashtimin e një sportisti ukrainas nga programi olimpik dimëror “Milano Cortina”. Bëhet fjalë për garuesin në skeleton, Vladyslav Heraskevych, i cili u skualifikua më 12 shkurt pas një vendimi të jurisë së International Bobsleigh and Skeleton Federation.
Sipas federatës, paraqitja në helmetën e tij e figurave të sportistëve të vrarë që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022 përbënte shkelje të rregullores.
Merz e cilësoi helmetën si “simbol të rezistencës dhe të guximit të palëkundur të popullit ukrainas”, duke shtuar se ajo përfaqëson gjithashtu vuajtjet e shkaktuara nga ajo që e quajti agresion barbar i Rusisë.
Apeli i sportistit ukrainas u rrëzua më pas nga Court of Arbitration for Sport, duke lënë në fuqi vendimin për përjashtimin e tij nga gara./mxh
