Last Updated on 08/03/2026 by Anisa
Obeziteti tek fëmijët është kthyer në një shqetësim global.
Sot në të gjithë botën numërohen rreth 177 milionë fëmijë dhe adoleshentë të moshës 5 deri në 19 vjeç që janë obezë, por ekspertët paralajmërojnë se kjo shifër mund të arrij në 228 milionë, duke tejkaluar për herë të parë numrin e fëmijëve nënpeshë në nivel global.
Alarmi vjen nga federate botërore e obezitetit, e cila bën me dije se shifrat e obeziteti do të rriten nga 8.7% që janë sot në 11.9% të popullsisë së fëmijëve deri në vitin 2040.
Raporti thekson se më shumë se 180 vende po përballen me rritje të mbipeshës dhe obezitetit tek fëmijët, ndërsa rritja më e shpejtë po regjistrohet në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, ku jeton shumica e fëmijëve në botë.
Ekspertët paralajmërojnë se pa masa urgjente, kjo situatë do të vendosë presion të madh mbi sistemet shëndetësore dhe shoqërinë, duke rritur rrezikun për sëmundje kronike në të ardhmen.
Sipas raportit, obeziteti në fëmijëri lidhet me faktorë të ndryshëm si ushqyerja jo e shëndetshme, mungesa e aktivitetit fizik, si dhe shëndeti dhe zakonet e nënës gjatë shtatzënisë.
Obeziteti tek fëmijët rrit rrezikun për sëmundje të zemrës, diabet dhe probleme të tjera kronike, ndërsa deri në vitin 2040, rreth 120 milionë fëmijë mund të shfaqin shenja të hershme të këtyre sëmundjeve.
Edhe OBSH paralajmëron se obeziteti tek fëmijët ndikon jo vetëm në shëndetin fizik, por edhe në cilësinë e jetës, performancën në shkollë dhe mirëqenien psikologjike.
