Last Updated on 11/03/2026 by Anisa
Në studion e QUO VADIS në Vizion Plus, analisti politik Mentor Kikia komentoi zhvillimet e fundit lidhur me kërkesën e prokurorisë për rëndimin e masës ndaj Belinda Ballukut. Ai theksoi se çështja duhet të shihet ndaras nga debatet politike që u kthyen në kryetemën e mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste.
Kikia deklaroi:
“Do doja që në këto zhvillime të ndaja çështjen Balluku nga çështja që u shndërrua në kryetemën e mbledhjes së PS. Partia Socialiste është në të drejtën e saj të mos e votojë kërkesën e prokurorisë për të rënduar masën e Ballukut.”
Duke komentuar vonesën e trajtimit të çështjes që nga 31 tetori, Kikia tha:
“Është çështje këndvështrimesh. Masa e ndalimit të lëvizjes dhe mos pasjes në dorë apo akses për të tjetërsuar provat etj. janë mjaftueshëm për prokurorinë, pasi kjo ishte edhe kërkesa e parë e prokurorisë.”
Ai paralajmëroi se shqetësimi kryesor tejkalon rastin konkret të Ballukut:
“Çështja Balluku, siç u shndërrua në rrufepritësen e të gjitha kritikëve, u shndërrua edhe në kauzën e madhe nga mazhoranca për të vendosur një mur. Dhe e theksoj, muri nuk u vendos për çështjen Balluku. Muri u vendos për të ndaluar veprime të tjera të gjyqësorit në atë që Rama e quajti ‘oborri ynë’. Aksioni politik i mazhorancës ndaj sistemit të drejtësisë, që mund të nisë me veprime ligjore për të mbyllur dyer e dritare e për të ngritur barriera, ky është shqetësimi kryesor.”
Analisti theksoi se masa aktuale e propozuar nga prokuroria – pezullimi nga detyra dhe ndalimi i daljes jashtë vendit – është e mjaftueshme, ndërsa debate politike dhe ndërhyrja e mazhorancës në procesin gjyqësor po e komplikojnë çështjen.
