Shumica dërrmuese e njerëzve që nuk kanë akses në dosjen hetimore kundër Belinda Balluku dhe janë imunë ndaj llojit të akuzave me destinacion fantazinë, nuk gjejnë frymëzim të protestojnë, që një deputete mbrohet nga burgosja në fazën e hetimit. Sepse në thelb kjo nuk ndyshon asgjë për procesin. Ndërsa u sfidua në Kuvend, SPAK s’ka gjasa të dekurajohet, përkundrazi, duhet të jetë motivuar dyfish për të përmbyllur hetimet e çuar në gjykatë aktakuzën kundër Belinda Ballukut.
Thënë këto, vendimi i grupit të shumicës dhe fjalimet e kryeministrit Rama që i kanë paraprirë dritave të kuqe te tetëdhjetë e tre deputetëve meritojnë vëmendje në lidhje me mesazhin që përcjellin dhe pasojat eventuale në rrafshe të ndryshme.
Kryemesazhi përmbledhës i Ramës me të tijtë për SPAK sipas meje është ky: Për sa varet prej nesh dhe është në tagrin e votës sonë nuk na keni në krah, por përballë.
SPAK dhe GJKKO duhet të jenë përgatitur për këtë ndryshim kursi qëkurse Rama dha alarmin kundër Republikës së Prokurorëve disa vite më parë e derisa referoi në një nga fjalimet e fundit reflektimin “bëmë gabim” të dy shokëve të Partisë. Shto këtu përgojimin me një gjuhë të papërshtatshme të rrogave sa “frëngu pulën” të magjistratëve, a thua se ua jep ai dhe jo ligji, dhe meqë paguhen kaq shumë duhet të mendohen mirë para se të merren me njerëzit e qeverisë.
Besoj se SPAK dhe GJKKO janë të qetë e më të vendosur në misionin e tyre. Ata janë gjithashtu përballë ekzekutivit. Përballja mes këtyre pushteteve në suazën e respektit të ndërjelltë dhe kufinjve të qartë të fushave të veprimit është një lajm i mirë për dialektikën e demokracisë sonë. Lajm i keq ka qenë e do të ishte drejtësia nën çizmen e ekzekutivit, siç e kemi parë përpara se të fillonte të jepte rezultate drejtësia e re.
Nuk e gjykoj dot nga distanca që kam me provat vendimin në seancën e pardjeshme. Por pasojat e fjalëve që u thanë për të mbështetur votimin në mbështetje të Ballukut dukshëm janë dy: njëri në rrafshin e brendshëm, tjetri në rrafshin e integrimit europian.
“Prishja e barazisë në tendera nuk është korrupsion”, u përmend si leva e Arkimedit për vendimin që u mor. Përtej përkufizimeve ligjore te veprave penale që shprehin nuanca, logjika më e thjeshtë të thotë se shkelja e barazisë në tendera bëhet për përftime të paligjshme. Për çfarë tjetër? Mos duhet të kapen në flagrancë korruptuesi dhe i korruptuari, duke dhënë e duke marrë thesin a shukun e parave në dorë ?
Prej shumë e shumë kohësh e veçanërisht në epokën e teknologjise digjitale korrupsioni bëhet me “duar të pastra”, madje pa duar fare, me lloj lloj formash. Duke dashur të mbrojë deputeten, retorika e mbingarkuar e kryeministrit e merr dhe e plas si balsam dhe amnisti për gjithë të predispozuarit për të abuzuar me detyrën shtetërore zbulimin literal se prishja e barazisë në tendera apo shpërdorimi i detyrës nuk janë korrupsion. E gjithë kjo kur mbajnë parasysh se qeveria është ndër vite absente ose e fundit në listën e denoncimeve në SPAK të korrupsionit dhe abuzimeve brenda piramidës shtetërore.
Në rrafshin e integrimit të vendit në BE kam parasysh reagimet flakë për flakë të ambasadave të Gjermanisë, Britanisë së Madhe dhe Suedisë si dhe të Komisionit Europian. Po mjaftohemi të citojnë reagimin e ambasadës Gjermane që thotë: “Gjermania mbështet procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian në përputhje me dëshirën e shqiptarëve. Kusht i domosdoshëm për të bërë progres në këtë proces të bazuar në merita është ndjekja penale me efektivitet e korrupsionit edhe në raste të rangut të lartë. Pritshmëria jonë e qartë është që edhe në këto raste ndjekja penale përmes drejtësisë të mund të realizohet shpejt dhe pa pengesa. Prej politikës shqiptare vazhdon të kërkohet ende që ta garantojë këtë proces”.
Kushdo mund të pikasë një tekst paralajmërues në kufinjtë e rreptësisë, që reflekton shqetësime më të thella, të bëra të njohura më parë nga qeveria gjermane, në lidhje me ekuivoket e Tiranës për drejtësinë e me gjerë. Lëshuar menjëherë pas votimit në Kuvend kjo deklaratë flet qartë se çfarë ka pritur Gjermania nga ajo seancë.
Kryeministri Rama reagoi brënda ditës me një sqarim duke siguruar Gjermaninë dhe Komisionin Europian se Shqipëria nuk ka një plan B për integrimin dhe se do të jetë në BE në vitin 2030. Shumë mirë. Por këtë vendim nuk e marim ne. E merr Gjermania, nota e së cilës është vendimtare. E marrin vendet e BE-se, e merr BE-ja në bazë të meritës ku lufta kundër korrupsionit mbetet provimi më i vështirë. Vendet që po flasin nuk janë shqetësuar kot. Ato kanë investuar e vijiojnë të investojnë për drejtësinë e pavarur dhe luftën kundër korrupsionit e krimit në Shqipëri. Ata kanë informacionet e tyre për kulisat dhe lojërat e Tiranës.
Nëqoftëse Rama i kalon pa kosto në BE votimin e djeshëm dhe nismat ligjore që synojnë t’ja vështirësojnë punën drejtësisë, bravo i qoftë.
Por nëse rrezulton ta ketë shkëmbyer integrimin me mbrojtjen e bashkëpunëtorëve nën akuza, nuk mund të thotë se nuk ishte i paralajmëruar./mapo.al
