Qeveritë e Ballkanit kanë filluar të ndërmarrin masa për të frenuar rritjen e çmimeve të naftës, gjë e cila është përshkallëzuar pasi Irani mbylli Ngushticën e Hormuzit në përgjigje të sulmeve nga SHBA-ja dhe Izraeli, duke kërcënuar ekonomitë në mbarë botën. Kjo rrugë ujore midis Gjirit Persik dhe Gjirit të Omanit është thelbësore për tregtinë e naftës, pasi më shumë se 20 për qind e saj kalon përmes kësaj ngushtice.
Të hënën, Kroacia njoftoi një paketë masash prej 450 milionë eurosh për të mbrojtur familjet dhe ekonominë nga rritja e çmimeve. Ajo përfshin vazhdimin e rregullimit të çmimeve të karburantit dhe ngrirjen e çmimeve të energjisë elektrike dhe gazit. “Kemi vendosur të ndërhyjmë dhe të ulim një pjesë të akcizës dhe një pjesë të marzhit të distributorëve të karburantit”, tha kryeministri Andrej Plenkoviç.
Nga e marta, për dy javë, çmimi i Eurodieselit do të rritet nga 1.55 euro në 1.73 euro për litër. Pa masat e qeverisë, ai do të kishte arritur në 1.86 euro.
Të dielën, Maqedonia e Veriut uli TVSH-në për benzinën dhe naftën nga 18 në 10 për qind, për të parandaluar rritje të mëtejshme të çmimeve, të paktën në afat të shkurtër. Që nga fillimi i krizës në Lindjen e Mesme, çmimi i benzinës është rritur me rreth 12 për qind dhe ai i naftës me rreth 30 për qind.
“Ulja e taksave është mënyra më e shpejtë për të zbutur ndikimin e rritjes së çmimeve dhe për të parandaluar përhapjen e tyre në çmimet e ushqimeve, transportit dhe shërbimeve”, tha kryeministri Hristijan Mickoski.
Qeveria e Rumanisë pritet të shpallë një gjendje krize 180-ditore për sektorin kombëtar të naftës, me qëllim adresimin e rreziqeve ndaj çmimeve të shkaktuara nga konflikti në Lindjen e Mesme. Ndër masat e tjera, do të vendosen kufij për marzhet tregtare të benzinës, naftës dhe lëndëve të para për prodhimin e tyre, si dhe do të kufizohen eksportet e karburantit.
Që nga 28 shkurti, çmimet e karburantit në Rumani janë rritur me rreth 17 për qind për benzinën dhe rreth 20 për qind për naftën, duke shënuar një nga rritjet më të forta afatshkurtra të viteve të fundit.
Në Bosnje dhe Hercegovinë, autoritetet kanë ndërmarrë hapa për të kufizuar ndikimin e rritjes së çmimeve të karburantit përmes një kombinimi lehtësimesh të propozuara fiskale dhe kontrollesh më të rrepta të tregut, megjithëse masat mbeten të kufizuara.
Në entitetin e Federatës, zyrtarët kanë propozuar uljen ose heqjen e përkohshme të akcizës mbi karburantin për të lehtësuar presionin mbi familjet dhe bizneset, duke sinjalizuar gatishmëri për të hequr dorë nga të ardhurat buxhetore për të frenuar inflacionin. Në Republikën Srpska, reagimi është përqendruar më shumë në zbatimin e rregullave dhe kontrollin e tregut.
Në Turqi, ku çmimet e naftës janë rritur me 6.9 për qind që nga fillimi i luftës, qeveria ka përdorur fonde të posaçme për të kompensuar pjesërisht rritjet. Megjithatë, këto fonde pritet të skadojnë më 24 mars dhe çmimet mund të rriten deri në 20 për qind. Opozita dhe qytetarët po i bëjnë thirrje qeverisë të heqë ose të ulë taksat mbi karburantin.
Mali i Zi njoftoi të premten se ka ndërmarrë “masa maksimale” për të frenuar çmimet e karburantit duke ulur akcizën. Ministri i Energjisë dhe Minierave, Admir Sahmanoviç, tha se akciza për Eurodieselin do të ulet me 50 për qind, ndërsa ajo për Eurosuper 98 dhe 95 me 25 për qind. Si rezultat, të hënën çmimi i naftës ishte 1.57 euro për litër, ndërsa Eurosuper 98 ishte një cent më i lirë dhe Eurosuper 95 1.52 euro për litër.
Qeveria e Serbisë ka ndërmarrë një sërë masash që nga fillimi i marsit për të kontrolluar rritjen e çmimeve të karburantit, si ndalimi i eksporteve, lirimi i rezervave shtetërore dhe ulja e akcizës.
Më 9 mars, qeveria ndaloi eksportin e naftës së papërpunuar, eurodieselit, benzinës dhe karburantit për aviacion. Ky ndalim është në fuqi deri më 2 prill. Pesë ditë më vonë, u vendos ulja e taksave shtetërore mbi karburantin me 20 për qind.
Të premten, presidenti Aleksandër Vuçiçdeklaroi se akciza do të ulet edhe më tej: “Sot do t’i ulim edhe me 40 për qind të tjera. Në total, do t’i ulim me rreth 61 për qind. Do të heqim pothuajse dorë nga të ardhurat shtetërore për të mbajtur këto çmime të qëndrueshme.”
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi më 21 mars se qeveria do të ndërmarrë masa për çmimet e larta të naftës.
“Çmimi i naftës jo vetëm që është rritur, por pritet të rritet edhe më tej. Për këtë arsye kemi vënë në funksion Bordin e Transparencës… dhe kemi vendosur që çdo ditë që çmimi tejkalon kufirin prej 220 lekësh (2.29 euro), do të ketë një ulje të menjëhershme prej 20 për qind të akcizës së naftës”, tha Rama, duke iu referuar një mekanizmi të përdorur për herë të parë në mars 2022 pas protestave për çmimet e larta.
Në Bullgari, kryeministri në detyrë Andrei Gyurov deklaroi më 12 mars se qeveria po përgatit masa me vlerë 30 milionë euro për të mbështetur familjet dhe bizneset. “Mund të merrnim një qasje populiste dhe të vendosnim tavan për çmimet e karburantit, por kjo do ta nxirrte karburantin nga tregu. Detyra jonë është tjetër: jo populizëm, por zgjidhje praktike”, tha ai.
Agjencia Kombëtare e të Ardhurave njoftoi se do të forcojë kontrollet në pikat e karburantit për të luftuar çmimet spekulative, ndërsa parlamenti më 13 mars i dha qeverisë kompetenca për të marrë masa kundër rritjes së çmimeve të shkaktuar nga rritja e çmimeve të naftës dhe gazit natyror.
Në Kosovë, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, më 4 mars njoftoi se kishte nënshkruar një udhëzim për çmimet e produkteve të naftës, duke vendosur marzhin maksimal të lejuar prej 2 eurocentësh për litër për shitjet me shumicë dhe 12 eurocentësh për shitjet me pakicë.
“Ky vendim vjen pas monitorimit të vazhdueshëm të tregut të naftës, analizës së të dhënave ditore nga Dogana e Kosovës dhe raporteve nga Inspektorati Qendror për Mbikëqyrjen e Tregut, të cilat konstatuan se rritjet e çmimeve nga importi reflektoheshin menjëherë në çmimet e shitjes”, tha Kusari-Lila./reporter.al
