Një vendim historik në Shtetet e Bashkuara ka hapur rrugën për qindra procese gjyqësore kundër kompanive të mëdha të teknologjisë, të akuzuara për krijimin e varësisë nga rrjetet sociale tek të rinjtë. Në qendër të kritikave janë algoritmet dhe mënyra e ndërtimit të platformave, të cilat, sipas padive, janë projektuar për të mbajtur përdoruesit të angazhuar për periudha sa më të gjata.
Vendimi i gjykatës në Kaliforni
Pas një procesi që zgjati më shumë se një muaj, një juri në Kaliforni shpalli përgjegjëse Meta dhe platformën YouTube për dëmet psikologjike dhe varësinë e zhvilluar nga një e re, e cila kishte përdorur në mënyrë kompulsive Instagram dhe YouTube që në fëmijëri.
Sipas vendimit, kompanitë u konsideruan neglizhente për shkak të dizajnit të platformave të tyre, të cilat mund të nxisin varësi, veçanërisht tek përdoruesit e mitur. Në thelb, ato akuzohen se kanë qenë në dijeni të rreziqeve, por nuk kanë ndërmarrë masa të mjaftueshme për t’i parandaluar.
Ky vendim, i cilësuar si “pilot”, mund të pasohet nga një valë çështjesh të ngjashme, duke rritur presionin ndaj industrisë së rrjeteve sociale për të rishikuar mënyrën e funksionimit të platformave.
Rasti, i njohur si “KGM”, përfshin një të re që kishte filluar të përdorte Instagram në moshën 6-vjeçare dhe YouTube në moshën 11-vjeçare. Sipas dëshmisë së saj, përdorimi i zgjatur çoi në varësi, ankth, dismorfofobi dhe mendime vetëvrasëse.
Ajo deklaroi se problemet vazhduan edhe në jetën e rritur, duke ndikuar në punë dhe në perceptimin për veten, përfshirë përdorimin e tepruar të filtrave për të ndryshuar pamjen fizike.
Padia thekson se funksione si: Riprodhimi automatik i videove, “scrolling”-u i pafund Si dhe rekomandimet e personalizuara nga algoritmet janë të dizajnuara për të stimuluar vazhdimisht përdoruesin dhe për të krijuar një cikël të vazhdueshëm angazhimi.
Qëndrimi i kompanive
Meta argumentoi se problemet e shëndetit mendor të paditëses lidhen me faktorë të tjerë personalë. Ndërkohë, përfaqësues të YouTube theksuan se platforma funksionon si një shërbim transmetimi i menaxhuar në mënyrë të përgjegjshme, dhe jo si rrjet social tradicional.
Në këtë çështje ishin përfshirë edhe Snap Inc. (pronare e Snapchat) dhe TikTok, të cilat arritën marrëveshje jashtë gjykatës përpara nisjes së procesit.
Dëmshpërblime
Gjykata vendosi që Meta dhe YouTube të paguajnë një total prej 3 milionë dollarësh si kompensim për dëmet, si dhe miliona të tjera në formën e dëmshpërblimeve ndëshkuese.
Kompanitë kanë deklaruar se nuk pajtohen me vendimin dhe pritet të apelojnë, duke theksuar se shëndeti mendor i të rinjve është një çështje komplekse që nuk mund t’i atribuohet një platforme të vetme.
Paditë
Rasti konsiderohet i pari nga mbi 1.500 çështje të ngjashme që pritet të shqyrtohen në gjykatat amerikane. Ekspertët paralajmërojnë se, nëse vendime të tilla përsëriten, kompanitë e teknologjisë mund të detyrohen të ndryshojnë ndjeshëm mënyrën se si projektojnë produktet e tyre.
Kjo situatë është krahasuar me proceset gjyqësore ndaj industrisë së duhanit në vitet ’90, të cilat çuan në rritjen e ndërgjegjësimit për rreziqet dhe në uljen e konsumit.
Ndërkohë, disa shtete po shqyrtojnë kufizime për përdorimin e rrjeteve sociale nga të miturit, duke ndjekur shembuj ndërkombëtarë që synojnë mbrojtjen e shëndetit mendor të të rinjve.
