Last Updated on 27/03/2026 by Leonard
Nga Sejdin Cekani
Ne shqiptarët vazhdojmë të vuajmë nga një sëmundje e vjetër që na ka mbërthyer keqas e nuk po na lëshon: sindroma e prijësit. Një prirje e çuditshme për t’u kapur pas individit, për ta ngritur atë mbi gjithçka dhe për të harruar se shoqëritë nuk ndërtohen mbi emra, por mbi ide.
Duket sikur qytetërimi ka kaluar pranë nesh, por na ka skajuar. Sepse ende nuk kemi mësuar t’u besojmë parimeve, institucioneve dhe ideve, por vazhdojmë t’u besojmë individëve, shpesh edhe verbërisht.
Kjo bëhet më e dukshme në mënyrën sesi reagojmë si shoqëri. Dalim në protesta, fjala vjen, për padrejtësitë, korrupsionin e qeveritarëve, për rritjen e çmimeve apo për varfërinë, por në vend që të shqiptojmë kërkesa qytetare, brohorasim emrin e liderit të partisë që mbështesim. Kësisoj, kauza zhduket sakaq. Dhe mbetet vetëm individi.
Edhe më paradoksale është heshtja jonë përballë problemeve jetike. Nuk protestojmë për jetën e pasigurt. Nuk ngrihemi për anarkinë urbanistike që po i shformon përditë qytetet tona. Nuk reagojmë për mjedisin që po e ndotim dhe po e shkatërrojmë në mënyrë të pakthyeshme. Nuk ngremë zërin për çmimet që rëndojnë mbi jetën tonë.
Po ndërkaq dimë të mobilizohemi me zjarr për “nderin e humbur” të liderit. Dalim në rrugë për rikthimin e tij në pushtet, sikur fati i vendit të ishte i lidhur me një emër të vetëm.
Kjo nuk është thjesht një zgjedhje e përkohshme apo rastësore, por një simptomë e sëmundjes sonë “shqiptare”.
Prej kohësh, mendje të ndritura e kanë vënë re këtë plagë. Faik Konica e ka thënë qartë: “Mjerimi i shqiptarëve ka qenë në tërë kohërat të kapej pas individëve dhe jo pas ideve… Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët.”
Ky është një mesazh që sot tingëllon më aktual se kurrë. Sepse Shqipëria nuk është një individ. Nuk është një lider. Nuk është një emër që brohoritet në mitingje. Shqipëria është një ide, një projekt i përbashkët që kërkon punë, përgjegjësi dhe vetëdije qytetare.
Nuk mund ta duam Shqipërinë duke ia bërë qejfin një politikani. Nuk mund ta ndërtojmë atë duke përkëdhelur egot e liderëve. Nuk mund të ecim përpara duke u rreshtuar pas disa figurave të caktuara, në vend që të qëndrojmë fort mbi parimet. Adhurimi i çdo individi të së sotmes apo të së kaluarës na mban peng.
Shqipëria ndërtohet kur qytetari zgjohet. Kur kërkon llogari. Kur nuk brohoret, por mendon. Kur nuk ndjek verbërisht, por gjykon.
