Aksioni i ndërmarrë nga Prefektura e Korçës për largimin e tregtimit ambulant përgjatë aksit nacional Korçë-Pogradec, në zonën e Lumalasit është shoqëruar me kundërshtime nga banorët që sigurojnë jetesën përmes shitjes së produkteve bujqësore.
Ditën e sotme kanë qenë në terren strukturat e policisë bashkiake, të cilët u kanë kërkuar tregtarëve të largojnë menjëherë mallrat nga anë e rrugës, duke e cilësuar këtë aktivitet si rrezik për sigurinë rrugore.
Por për familjen Shkëmbi, kjo ndërhyrje konsiderohet e padrejtë dhe pa zgjidhje alternative. Ata shprehen se nuk janë kundër rregullave, por kërkojnë që të paktën t’u jepet mundësia të zhvendosen disa metra më tutje, në mënyrë që të vazhdojnë punën.
“Na lini të punojmë, kjo është buka jonë”/
“Erdhi prefektja e shoqëruar me policinë bashkiake, të gjithë, dhe ne i thamë ‘pse të na heqësh fare, na largo 6 metra më tutje’. Na tha se nuk do shitet më anës rrugës sepse është burim aksidenti. Po burimi i aksidenteve është tek stacioni i autobusit në Lumalas, atje është më keq, jo këtu në pronën time. Vetëm ditën e dytë nuk dolëm pas ardhjes së prefektes, pastaj dolëm prapë. Sot policia bashkiake na kërkon të heqim mallin, na thonë ‘hiqini gjërat ose do t’ua sekuestrojmë mallin’. Djali është i katërt pa punë, ne këto toka i mbjellim. Le të shkojnë të kontrollojnë bizneset që janë mbi kanale, jo të vijnë këtu mbi tokën time. Ne e ndjejmë rrezikun e aksidenteve, por le të na çojnë pak metra më poshtë. Jam dakord të tërhiqem, por nuk na dhanë këtë zgjidhje”,-tha zonja e shtëpisë Gurie Shkëmbi.
Sipas saj, presioni i vazhdueshëm nga institucionet i vendos në një situatë të vështirë ekonomike, pasi kjo është e vetmja mënyrë jetese për familjen. Edhe bashkëshorti i saj, Muharrem Shkëmbi, shprehet i revoltuar për mënyrën se si është zhvilluar aksioni, duke thënë se është trajtuar si shkelës i ligjit, ndërkohë që po përpiqet të sigurojë të ardhura nga prodhimi i tij.
“Një ditë na erdhi prefektura, bashkia, policia dhe komuna. U bë këtu lëmsh sikur unë kisha vrarë ndonjë, sikur isha kriminel. Unë po shes mallin tim që kam një vit, jam vetë i gjashti në familje. Me çfarë do rrojmë? Djali pa punë, gruaja pa punë, nusja pa punë. Unë kam prodhimin tim, në tokën time, me të gjitha kushtet, me leje toke, shtëpie dhe madje edhe kioske. Vjet hapa licencën, erdhi policia dhe bashkia dhe më thanë që e ke fallco. Si qenka fallco kur e kam marrë në bashki? Ma morën mallin. 100 herë të vijnë në ditë, 100 herë do i nxjerrim. Çfarë të duan të më bëjnë, unë u shkatërrova”,-tha kryefamiljari Muharrem Shkëmbi.
Tregtarët theksojnë se nuk kundërshtojnë ligjin, por kërkojnë trajtim më të drejtë dhe një zgjidhje konkrete nga institucionet, duke qenë se bëhet fjalë për produkte të tyre bujqësore dhe për të ardhurat e vetme të familjes. Ata propozojnë që të zhvendosen disa metra më larg rrugës, në mënyrë që të shmanget rreziku për aksidente, por pa u detyruar të mbyllin aktivitetin plotësisht.
“Na lini të punojmë, kjo është buka jonë”/
Teksa aksionet pritet të vijojnë edhe në ditët në vijim, mbetet për t’u parë nëse institucionet do të gjejnë një zgjidhje alternative për këta banorë, apo përplasjet në terren do të vijojnë, duke lënë pa përgjigje shqetësimin kryesor të tyre, sigurimin e bukës së përditshme./Kb
