Shkencëtarët kanë arritur të rikrijojnë aromat e përdorura në procesin e balsamimit të mumieve, duke zbuluar detaje të reja mbi praktikat funerare të Egjiptit të lashtë. Përbërës si yndyrnat, dyllët, rrëshirat dhe bitumi tregojnë se si këto teknika janë zhvilluar dhe sofistikuar ndër shekuj.
Era karakteristike e një mumie nuk lidhet vetëm me dekompozimin e trupit, siç mund të mendohet zakonisht. Sipas një studimi të publikuar në Journal of Archaeological Science, aroma e veçantë që ato lëshojnë është në fakt rezultat i substancave të përdorura gjatë balsamimit. Studiuesit kanë zbuluar se mjafton të analizohet ajri përreth mumieve për të identifikuar këto përbërës, pasi gjurmët kimike të pranishme në të, së bashku me fragmentet e materialeve dhe indeve, japin informacion të vlefshëm mbi teknikat e përdorura në periudha të ndryshme historike.
Për të arritur në këto përfundime, shkencëtarët përdorën teknologji të avancuara për të analizuar gazrat që rrethonin 35 mostra balsami dhe fashash, të marra nga 19 mumie të balsamuara midis viteve 3200 para erës sonë dhe 395 të erës sonë. Përmes izolimit dhe studimit të përbërjeve organike të paqëndrueshme, ata arritën të kuptojnë më mirë përbërjen kimike të materialeve të përdorura.
Analiza tregoi se këto përbërje mund të grupohen në katër kategori kryesore, të cilat përfshijnë yndyrnat dhe vajrat, dyllin e bletës, rrëshirat bimore dhe bitumin. Secila prej këtyre lëndëve ka lënë një “firmë” të veçantë kimike, duke ndihmuar në rindërtimin e recetave të balsamimit të përdorura në kohë të ndryshme.
Studimi zbulon gjithashtu se teknikat e mumifikimit nuk kanë qenë statike, por kanë evoluar ndjeshëm. Mumiet më të hershme trajtoheshin kryesisht me yndyrna dhe vajra, ndërsa në periudhat më të vona u përdorën përzierje më komplekse që përfshinin edhe rrëshira dhe bitum. Për më tepër, përbërja kimike ndryshonte jo vetëm sipas kohës, por edhe sipas pjesëve të trupit, çka sugjeron se balsamuesit përdornin receta të ndryshme për trajtimin e zonave të ndryshme.
Një nga aspektet më inovative të këtij studimi është metoda e përdorur për marrjen e mostrave, e cila lejon analizimin e mbetjeve shumë të brishta pa i dëmtuar ato. Kjo qasje e re po hap rrugë për studime më të thelluara mbi praktikat funerare të Egjiptit të lashtë, duke ofruar një pasqyrë më të qartë dhe më të plotë mbi materialet, teknikat dhe strategjitë e ruajtjes së trupave njerëzorë në atë kohë.
