Një ngjarje tragjike ka tronditur qytetin e New York-ut. Një foshnjë shtatë muajshe humbi jetën pasi u qëllua me armë zjarri ndërsa ndodhej në karrocën e saj në mes të ditës, në lagjen Brooklyn.
Policia e qytetit ka deklaruar se foshnja ishte viktimë e paqëllimshme e një sulmi të dyshuar të lidhur me bandat.
Sipas autoriteteve, dy persona po lëviznin me motor kundër rrjedhës së trafikut në zonën Williamsburg, kur pasagjeri i pasmë nxori një armë dhe qëlloi disa herë. Motori u përplas menjëherë pas të shtënave dhe njëri prej të dyshuarve u arrestua, ndërsa shoferi është ende në kërkim.
Kryetari i Bashkisë së New York-ut, Zohran Mamdani, e cilësoi ngjarjen si një “kujtesë shkatërruese” për nevojën e luftës kundër dhunës me armë.
“Një jetë që sapo kishte filluar u mor në një çast,” tha ai, citon BBC.
Disa të rritur dhe fëmijë, dy prej të cilëve ishin në karroca bebesh, ndodheshin në një cep rruge kur ndodhën të shtënat. Prindërit e foshnjës u strehuan në një dyqan aty pranë, ku kuptuan se vajza e tyre ishte plagosur rëndë. Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të shërbimeve të emergjencës dhe dërgimit në spitalin Woodhull, foshnja u shpall e vdekur.
Komisionerja e Policisë, Jessica Tisch, e përshkroi ngjarjen si “të papërshkrueshme” dhe theksoi se dhimbja e familjes është e paimagjinueshme.
Pamjet e policisë treguan se të dyshuarit u përplasën me një makinë pak pas arratisjes nga vendngjarja.
Të dy u hodhën nga motori, por pasagjeri i pasmë ra aq fort sa humbi “të dyja këpucët”, tha Tisch. Një ambulancë u thirr për burrin e plagosur dhe ai u dërgua në Spitalin e Brooklyn, ku më pas u mor në paraburgim nga policia.
Hetuesit besojnë se ai përputhet me përshkrimin e personit që qëlloi, bazuar në veshjen dhe pamjen e tij, por u mor në paraburgim si pjesë e një hetimi tjetër. Policia po punon për ta lidhur atë me të shtënat./mxh
