Last Updated on 03/04/2026 by Anisa
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka mbërritur me pranga në duar në Gjykatën Administrative, i shoqëruar me një furgon policie nga paraburgimi i Durrësit drejt kryeqytetit.
Në seancën e sotme, Veliaj përballet me prokurorin Ols Dado dhe gjykatësin e çështjes, ndërsa Gjykata Administrative pritet të shqyrtojë kërkesën e tij për shpalljen të pavlefshëm të emërimit të Dados si prokuror.
Sipas kërkesëpadisë së depozituar nga mbrojtja e kryebashkiakut, emërimi i prokurorit është kryer në kundërshtim flagrant me ligjin. Avokatët pretendojnë se në momentin e dekretimit, Dado nuk plotësonte kriteret ligjore të detyrueshme për ushtrimin e funksionit, pasi nuk kishte përfunduar Shkollën e Magjistraturës.
Gjatë deklaratës së tij para gjykatës, Veliaj hodhi akuza të forta ndaj procesit dhe hetimit ndaj tij.
“Nuk jam këtu për mëshirë, as për dramën e familjes time. Jam këtu për të treguar çfarë i është bërë Bashkisë së Tiranës, kur njerëz që s’kanë mbaruar magjistraturën arrestojnë të tjerët. Jam i vetmi njeri që jam arrestuar nga dikush që nuk ekziston. Nesti Angoni nuk ekziston,” u shpreh ai.
Veliaj shtoi se çështja ndaj tij lidhet me kallëzimin për inceneratorët, ndërsa pretendoi se një ditë më parë kishte fituar një gjyq për shpifje ndaj një shtetasi italian. Ai e cilësoi të gjithë procesin si një “intrigë”, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e ndjekjes së procedurave ligjore.
Sipas tij, ka pasur shkelje të afateve procedurale, pasi regjistrimi i procedimit penal është bërë me vonesë prej 7 muajsh, ndërkohë që ligji parashikon një afat 15-ditor. Po ashtu, ai deklaroi se emri i tij është përfshirë në hetim vetëm pas një viti, duke e cilësuar këtë si një “veting të jetës së tij”.
“Dje fitova gjyqin për shpifje, me italianin. Kam frikë se e gjitha kjo është një intrigë. Ku ka dëmtuar Erjon Veliaj në punën e vet? Ajo që më ngacmoi të bëja këtë padi, është i vetmi rast që afati 2-javor për të regjistruar një procedim nuk është regjistruar pas 7 muajsh, kur afati ishte 15 ditor.“
Në fund, Veliaj përdori tone të ashpra ndaj prokurorit të çështjes, duke e quajtur atë një “sikaroi” dhe duke theksuar se procesi, sipas tij, nuk ka lidhje me SPAK apo reformën në drejtësi.
“Kërcej shumë gjëra në këtë proces, ky është një sikaroi që ka marrë këtë gjë në dorë, kjo s’ka lidhje me SPAK apo me reformën në drejtësi. 7 muaj regjistrim procedimi dhe më pas 1 vit tjetër regjistrimi i emrit tim. Më është bërë një veting i jetës sime. Më është hequr jeta kur kam qenë tek Mjaft në 2004”.
Kryebashkiaku Erion Veliaj ka thënë se askush nuk firmos në bashki vendime pas izolimit të tij.
Gjykata Administrative pritet të marrë një vendim mbi vlefshmërinë e emërimit të prokurorit, një çështje që mund të ndikojë drejtpërdrejt në vijimin e hetimeve ndaj kryebashkiakut të Tiranës.
