Nga Sejdin Cekani
Një mik më tregonte këto ditë për një takim të një shoqate krahinore. Mes krenarisë folklorike dhe statistikave të fryra, njëri prej folësve deklaronte me bindje se krahina e tyre kishte rreth dy mijë “intelektualë”, ku mbi 1800 prej tyre ishin me arsim të mesëm, ndërsa pjesa tjetër me arsim të lartë. Madje ai nuk kishte ngurruar të përmendte se vetëm në familjen e tij kishte gjashtë “intelektualë”.
Ky nuk është thjesht një episod qesharak, por edhe një simptomë e shoqërisë sonë, ngaqë te ne fjala “intelektual” është zhvlerësuar deri në banalitet.
Në të vërtetë, të jesh intelektual nuk do të thotë të kesh një diplomë, të punosh në një zyrë apo të flasësh sa në një studio televizive në tjetrën.
Intelektuali i vërtetë është përcaktuar si një vetëdije kritike. Pra, ai është një individ që prodhon ide dhe mendim të pavarur, ka formim të thellë kulturor e shkencor, mban qëndrim publik me përgjegjësi dhe, mbi të gjitha, nuk i nënshtrohet asnjë lloj pushteti. Sepse intelektuali i vërtetë nuk matet me diplomën, por me guximin për të thënë të vërtetën, sidomos kur kjo është në dëm të shoqërisë.
Keqkuptimi për përcaktimin e konceptit të intelektualit nuk është i rastësishëm. Ai është trashëgimi nga koha e sistemit të kaluar. Asokohe, kush nuk bënte punë krahu dhe kishte një profesion, shpesh etiketohej si intelektual. Ky kategorizim artificial krijoi një iluzion që vazhdon edhe sot. Pra, automatikisht, nëse ke një diplomë, je edhe intelektual. Por shumë prej këtyre “intelektualëve” nuk dallohen për asnjë kontribut, për asnjë mendim origjinal, për asnjë qëndrim publik. Ata kanë vetëm një dokument shkollor dhe një vetëbesim të pajustifikuar.
Gjithsesi, ky deformim tanimë është bërë vërtet i padurueshëm, sepse pseudointelektualët i gjen kudo: nëpër studio televizive, në administratë, në korridoret e politikës, por edhe nëpër rafte librarish, ku na shfaqen edhe si (kinse) shkrimtarë, poetë apo historianë.
Këta individë kërkojnë të duken, por, mbi të gjitha, synimi i tyre është që të përfitojnë. Për këta tipa e për këtë lloj dukurie, Umberto Eco thoshte: “Budallallëku sot bërtet fort”. Dhe kjo bërtitje, sidomos në realitetin shqiptar, shpesh shpërblehet.
Ndërkaq, intelektualët e vërtetë skajohen dhe janë të papërshtatshëm për këtë kohë, sepse ata nuk bëjnë kompromis me të pavërtetën, nuk shërbejnë si dekor për pushtetin, nuk shiten për një vend pune apo për një post, sado i lartë të jetë ai.
Në shoqërinë tonë, ku dominon interesi i ditës, integriteti bëhet pengesë, ndaj dhe intelektualët e vërtetë shpesh heshtin, ngaqë e dinë se jo vetëm do të sulmohen e do të përjashtohen, por edhe do të përbalten e do të anatemohen. Për rrjedhojë, vendin e tyre e zënë ata që dinë të përshtaten: të paditurit, gjysmë të diturit, interesaxhinjtë dhe pehlivanët.
Historia ka treguar se një shoqëri pa intelektualë është një shoqëri pa busull. Kur mendimi dhe fjala publike pushtohen nga mediokriteti, shoqëria humbet drejtimin, debati degradon, kultura varfërohet dhe politika shndërrohet në njëfarë teatri absurd.
Prandaj, për Shqipërinë tonë intelektualët e vërtetë nuk janë luks, por domosdoshmëri.
