Ish-mesfushori i Chelsea FC dhe i kombëtares braziliane, Oscar dos Santos Emboaba Júnior, ka njoftuar tërheqjen nga futbolli në moshën 34-vjeçare, për shkak të problemeve të vazhdueshme kardiake.
Lajmi u konfirmua nga klubi i tij aktual, São Paulo FC, i cili bëri të ditur se lojtari ishte shtruar në spital për pesë ditë në muajin nëntor, pas komplikacioneve në zemër. Pas ekzaminimeve të detajuara, mjekët diagnostikuan gjendjen e njohur si sinkopë vazovagale, një formë e zakonshme e të fikëtit që shkaktohet nga rënia e papritur e ritmit të zemrës dhe presionit të gjakut.
Megjithëse kishte kontratë me klubin brazilian deri në vitin 2027, Oscar vendosi ta ndërpresë atë dhe t’i japë fund karrierës si futbollist profesionist.
Në një reagim emocional në rrjetet sociale të klubit, ai u shpreh:
“Doja të bëja më shumë për São Paulo-n, doja të luaja më shumë. Besoj se i kisha mundësitë dhe moshën për të vazhduar, por fatkeqësisht ndodhi kjo.”
Ai shtoi se tani do të vazhdojë të mbështesë klubin si tifoz, duke mbyllur kështu një karrierë që e çoi në shumë vende të botës.
Gjatë karrierës së tij, Oscar fitoi dy tituj të Premier League me Chelsea FC dhe tre tituj në kampionatin kinez me Shanghai Port FC. Ai u rikthye te São Paulo në dhjetor të vitit 2024, duke firmosur një kontratë trevjeçare me klubin e tij të fëmijërisë.
Tërheqja e tij shënon fundin e një kapitulli të rëndësishëm në futbollin ndërkombëtar, ndërsa shëndeti mbetet prioriteti kryesor për ish-mesfushorin brazilian./mxh
