Bologna fitoi 2-1 në transfertë ndaj Cremoneses, duke vazhduar serinë pozitive me fitoren e katërt radhazi jashtë fushe në Serinë A. Ndeshja u vendos që në pjesën e parë, ku miqtë shënuan dy gola të shpejtë dhe krijuan epërsi të rëndësishme.
Bologna e nisi takimin në mënyrë të shkëlqyer dhe kaloi në avantazh që në minutën e 3-të. Miranda dërgoi një krosim të saktë nga krahu i majtë drejt zonës, ku Joao Mario, i pambuluar, goditi menjëherë dhe dërgoi topin në rrjetë, duke mposhtur portierin Audero.
Bologna vazhdoi presionin dhe në minutën e 15-të dyfishoi shifrat. Pas një tjetër aksioni nga e majta, Miranda gjeti Rowe në zonë, i cili realizoi nga afër për rezultatin 2-0.
Dominimi i miqve vijoi edhe në pjesën e mbetur të fraksionit të parë. Një gabim në mbrojtjen e Cremoneses i dha mundësinë Santiago Castros të shënonte golin e tretë, por sulmuesi nuk arriti të konkretizonte nga një distancë shumë e afërt.
Në fundin e pjesës së parë, Nikola Moro provoi me goditje dënimi, por topi u ndal në traversë. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin 2-0 për Bologna.
Në pjesën e dytë, Cremoneses u përpoq të reagojë dhe krijoi rastin e parë konkret në minutën e 59-të, kur Bonazoli provoi me një goditje në ajër, por portieri Ravalia ndërhyri saktë. Në minutën e 71-të, ishte radha e Pajero të rrezikonte, por sërish Ravalia reagoi mirë duke mbajtur të paprekur portën e tij.
Në minutat e fundit të ndeshjes, vendasit fituan një penallti pas një ndërhyrjeje të portierit. Nga pika e bardhë, Bonazoli shënoi dhe ngushtoi diferencën në 2-1, duke rihapur për pak çaste takimin.
Në kohën shtesë, loja u shoqërua me tension, ku u ndëshkuan me karton të kuq Maleh dhe Ferguson.
Megjithatë, rezultati nuk ndryshoi dhe Bologna administroi avantazhin deri në fund, duke marrë tre pikët.
Me këtë fitore, Bologna ngjitet në vendin e tetë në renditje, ndërsa Cremonese mbetet në zonën e rrezikut, me vetëm një fitore në 17 ndeshjet e fundit./mxh
