Kryeministri hungarez, Viktor Orban, nuk do të habitej nëse eksplozivin e gjetur në tubacionin e gazit që lidh Serbinë me Hungarinë, në fshatin serb Treshnjevac, pranë kufirit që lidh dy vendet, ta ketë vendosur Ukraina, pas tensioneve mes dy vendeve për çështjen e furnizimit nga Rusia.
“Nuk do të dëmtoja më tej marrëdhëniet tona duke akuzuar Ukrainën pa pasur fakte, por është e pamohueshme që kjo përshtatet me një seri ngjarjesh… ata kanë aftësinë dhe vullnetin për të bërë diçka të tillë”, tha Viktor Orban, kryeministër i Hungarisë.
E sigurt për Orbanin është se bëhet fjalë për një akt sabotazhi kundër sigurisë energjetike të Hungarisë.
Megjithatë, lideri i opozitës, Peter Magjar, hodhi dyshime të forta se rasti është “inskenim” i orkestruar me ndihmën e Rusisë, për të ndikuar në favor të partisë Fidezh të kryeministrit hungarez, pak ditë para zgjedhjeve parlamentare të 12 prillit. Sondazhet tregojnë se lideri i opozitës është 8 pikë para kreut aktual të qeverisë, një prej miqve të paktë të Vladimir Putinit mes aleatëve perëndimorë, i cili synon mandatin e pestë radhazi.
Eksplozivi u gjet të dielën në dy çanta shpine me detonatorë, pak metra larg tubacionit TurkStream. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç konfirmoi se hetimet po vijojnë për zbulimin e autorëve./mxh
