Udhëheqësi i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, është ende duke u shëruar nga lëndimet e rënda në fytyrë dhe këmbë që pësoi në sulmin ajror që vrau babanë e tij në fillim të luftës. Kështu kanë deklaruar për “Reuters” tre persona të afërt me rrethin e tij të ngushtë.
Fytyra e Khamenei-t u shpërfytyrua nga sulmi ndaj kompleksit të udhëheqësit suprem në qendër të Teheranit dhe ai pësoi një dëmtim të rëndë në njërën ose të dyja këmbët. Megjithatë, 56-vjeçari po shërohet dhe po merr pjesë në takime me zyrtarë të lartë nëpërmjet konferencave me lidhje me audio dhe është i angazhuar në vendimmarrje për çështje të mëdha, duke përfshirë luftën dhe negociatat me Uashingtonin.
Pyetja nëse shëndeti i Khamenei-t i lejon atij të drejtojë punët e shtetit vjen gjatë momentit të rrezikut më të madh për Iranin prej dekadash, dhe bisedimeve të paqes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që nisin në Islamabad ditën e sotme.
Rrëfimet e njerëzve pranë rrethit të ngushtë të Khamenei-t ofrojnë përshkrim të detajuar të gjendjes së udhëheqësit prej javësh, ndërsa “Reuters” nuk mundi të verifikonte në mënyrë të pavarur përshkrimet e tyre. Vendndodhja, gjendja dhe aftësia e Khamenei-t për të sunduar mbeten ende kryesisht një mister për publikun, pa asnjë foto, video apo regjistrim audio të tij të publikuar që nga sulmi ajror dhe emërimi si zëvendësues i babait të tij më 8 mars. Misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara nuk iu përgjigj pyetjeve të “Reuters” në lidhje me shkallën e lëndimeve të Khamenei-t ose arsyen pse ai nuk është shfaqur ende në ndonjë imazh apo regjistrim.
Khamenei u plagos më 28 shkurt, ditën e parë të luftës së nisur nga SHBA-ja dhe Izraeli, në sulmin që vrau babanë dhe paraardhësin e tij, Ajatollah Ali Khamenei, i cili kishte sunduar që nga viti 1989. Gruaja, kunati dhe kunata e Mojtaba Khamenei-t ishin ndër anëtarët e tjerë të familjes së tij të vrarë në sulm.
Nuk ka pasur asnjë deklaratë zyrtare iraniane mbi shkallën e lëndimeve të Khamenei-t. Megjithatë, një prezantues lajmesh në televizionin shtetëror e përshkroi atë si një “janbaz”, një term i përdorur për ata që janë plagosur rëndë në luftë, pasi ai u emërua udhëheqës suprem. Rrëfimet për lëndimet e Khamenei-t përputhen me një deklaratë të bërë nga Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, më 13 mars, kur tha se Khamenei ishte “i plagosur dhe me shumë gjasa i shpërfytyruar”.
Një burim i njohur me vlerësimet e inteligjencës amerikane i tha “Reuters” se dyshohet se Khamenei ka humbur një këmbë. CIA nuk pranoi të komentojë mbi gjendjen e Khamenei-t. Zyra e kryeministrit izraelit nuk iu përgjigj pyetjeve.
Një nga njerëzit pranë rrethit të Khamenei-t tha se imazhet e udhëheqësit suprem pritet të publikohen brenda një ose dy muajsh dhe se ai madje mund të shfaqet në publik atëherë, megjithëse të tria burimet theksuan se ai do të dilte vetëm kur shëndeti i tij dhe situata e sigurisë ta lejonin.
“Nuk dihet shumë për pikëpamjen e tij për botën”
Në sistemin teokratik të sundimit të Iranit, pushteti përfundimtar duhet të ushtrohet nga udhëheqësi suprem, një klerik mysliman shiit i nderuar i emëruar nga një asamble prej 88 ajatollahësh. Udhëheqësi mbikëqyr presidentin e zgjedhur, ndërsa komandon drejtpërdrejt institucione paralele, përfshirë Gardën Revolucionare, një forcë e fuqishme politike dhe ushtarake. Udhëheqësi i parë suprem i Iranit, Ajatollah Ruhollah Khomeini, gëzonte autoritet të padiskutueshëm si udhëheqësi karizmatik i revolucionit dhe kleriku më i ditur i kohës së tij.
Pasardhësi i tij, Ali Khamenei, ishte një klerik më pak i nderuar, por kishte shërbyer si president i Iranit. Ai kaloi dekada duke forcuar autoritetin e tij pas emërimit në vitin 1989, pjesërisht përmes promovimit të fuqisë së Gardës Revolucionare. Burime të larta iraniane i kanë thënë më parë “Reuters” se djali i tij, Mojtaba, nuk komandon pushtet absolut në të njëjtën mënyrë.
Garda Revolucionare, e cila e ndihmoi atë të merrte postin më të lartë pas vrasjes së babait të tij, është shfaqur si zëri dominues në vendimet strategjike gjatë luftës. Misioni i Iranit në OKB nuk iu përgjigj pyetjeve në lidhje me pushtetin që ushtronin Garda dhe udhëheqësi i ri suprem.
Si një figurë me ndikim në zyrën e të atit, Khamenei më parë kishte kaluar vite të tëra i përfshirë në ushtrimin e pushtetit në nivelet më të larta të Republikës Islamike, kanë thënë zyrtarë dhe njerëz të brendshëm, duke ndërtuar lidhje me figura të larta të Gardës.
“Ndërsa ai shihet gjerësisht si një person që ka gjasa të vazhdojë qasjen e ashpër të të atit për shkak të lidhjeve të tij me Gardën, ne nuk dimë shumë për pikëpamjen e tij për botën”, tha Alex Vatanka, bashkëpunëtor i lartë në Institutin e Lindjes së Mesme.
Komunikimi i parë i Khamenei-t me iranianët si udhëheqës suprem ndodhi më 12 mars, ku në një deklaratë me shkrim të lexuar nga një prezantues lajmesh, thuhej se Ngushtica e Hormuzit duhet të mbetet e mbyllur dhe paralajmëronte vendet e rajonit të mbyllin bazat amerikane.
Zyra e tij ka lëshuar që atëherë disa deklarata të tjera të shkurtra me shkrim prej tij, përfshirë edhe ato të 20 marsit kur ai priti Vitin e Ri Persik, të cilin e quajti “viti i rezistencës”. Deklarata publike mbi politikën mbi qëndrimin e Iranit për luftë, qasjen e tij ndaj diplomacisë, fqinjëve, negociatat e armëpushimit dhe trazirat e brendshme, janë bërë nga zyrtarë të tjerë të lartë. /Marrë nga “Reuters”/kb
