Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha po zhvillon ditën e sotme një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale. Para nisjes së fjalës së tij, Berisha mbajti një minutë hedhje për ndarjen nga jeta të kongresmenit amerikan, Eliot Engel
“Këtë takim dua ta filloj me nderimin me një minutë heshtje të njërit prej miqve më të shquar, më të shtrenjtë dhe më të çmuar të kombit shqiptar në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi dhe kudo që ndodhen, ish-kongresmenin Eliot Engel. Në jetën time politike nuk kam njohur kurrë një njeri që të ketë bërë më shumë për kombin tonë me aq dashuri dhe pasion çfarë kishte mundësi, se sa Eliot Engel. Nderojmë ne me një minutë heshtje kujtimin e tij. I paharruar kujtimi i mikut tonë të madh”, tha Berisha.
Ndër të tjera, kreu i PD-së foli lidhur me çmimin e naftës, ku tha se vlera 224 lekë/litri ishte rekord botëror. Sipas tij nafta nuk u rrit për shkak të luftës në Lindjen e Mesme, por për shkak të ngarkesës së lartë fiskale të vendosur nga qeveria. Ndër të tjera, foli edhe për heqjen e naftës pa taksa për fermerët, ku tha se mijëra do të falimentojnë për shakk të këtij vendimi.
“Qeveria e Edi Ramës, në dallim nga çdo qeveri tjetër në Europë dhe botë, mbajti qëndrim cinik ndaj rritjes së çmimit më të lartë në botë për naftën. Nafta 224 lekë për litër shënoi çmimin rekord botëror dhe kjo jo se nafta u rrit kaq shumë për shkak të luftës në Lindjen e Mesme, por për shkak të ngarkesës më të lartë fiskale që Edi Rama ka vendosur për çdo litër naftë, për shkak të taksës më të lartë që ua merr qytetarëve shqiptarë në çdo litër naftë prej 1.1 euro. Jo vetëm që refuzon të përgjysmojë barrën fiskale apo ta sjellë në nivelin e ngarkesës fiskale që ka Kosova dhe Maqedonia në mënyrë që çmimi i naftë të arrijë në këto nivele, por ai njoftoi këto ditë se do heqë edhe subvencionet për naftën e fermerëve. Domethënë, miliarderët që vijnë dhe marrin nga 1 milion litra naftë me jahtet e tyre superluksoze në portin e Durrësit, e marrin naftën me 60 lekë litrin, kurse fermeri detyrohet ta paguajë naftën me 220 lekë litrin, çka do të thotë se sipërfaqe qindra e mijëra hektarë do mbeten djerrë dhe qindra mijëra fermerë do falimentojnë. Ky është një qëndrim cinik, një qëndrim i pashpirt, siç është i pashpirt dhe cinik qëndrimi ndaj pensionistëve, të cilëve ua mbajti bonusin që duhej t’ua jepte që në janar, dhe tani doli kokoshi i katandisur në thelë, u jep 8 euro për shumicën dhe për një pjesë të vogël të tyre shtesa është gjithsej 18 euro”, tha kryedemokrati.
Lidhur me zgjedhjet e ardhshme, Berisha u shpreh se PD do të nxjerrë kandidatët më përfaqësues në Tiranë dhe gjithë Shqipërinë
“Ne do bëjmë gjithçka që të kemi kandidatët më përfaqësues në Tiranë dhe gjithë Shqipërinë. Rruga e vetme për zgjedhje të lira është largimi i Edi Ramës. Ai është armiku më i egër i votës së lirë. Çdo iluzion se Edi Rama pranon zgjedhje të ndershme është mbështetje për diktaturën. Ne arritëm ti faktojmë botës dhe ndërkombëtarëve se në Shqipëri, zgjedhjet në kushtet e partisë-shtet dhe përcaktohen nga kartelet e drogës”, tha Berisha. /kb
