Kombëtarja e Marokut është bërë skuadra e parë që ka siguruar një vend në fazën çerekfinale të Kupës së Botës, pas një fitoreje të pastër me rezultatin 3-0 ndaj Kanadasë.
Edhe pse pjesa e parë e takimit u mbyll pa gola dhe me një dominim të kanadezëve në raste, afrikanët u treguan mjaft efikasë në fraksionin e dytë.
Azzedine Ounahi zhbllokoi rezultatin në minutën e 50-të duke finalizuar një skemë nga goditja e dënimit pas asistimit të Achraf Hakimit.
Mesfushori maroken realizoi edhe golin e dytë të sfidës në minutën e 82-të, duke kthyer në gol një kundërsulm të shpejtë të nisur nga Brahim Diaz.
Në minutat e fundit të lojës, Soufiane Rahimi shënoi edhe golin e tretë për skuadrën e tij, sërish pas një pasimi vendimtar nga Diaz.
Me këtë triumf, Maroku kalon mes tetë ekipeve më të mira të turneut, ku në fazën e ardhshme do të ndeshet me fituesin e çiftit Francë-Paraguai./mxh
