Last Updated on 14/04/2026 by Anisa
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar ndaj deklaratave të Kryeministrit, Edi Rama, duke e akuzuar atë për qëndrime që, sipas tij, bien ndesh me realitetin politik dhe institucional në vend.
Në një reagim në rrjetet sociale, Këlliçi u shpreh se Kryeministri “sillet sikur 12 marsi nuk ka ndodhur”, duke iu referuar zhvillimeve në Kuvend që opozita i konsideron të rëndësishme për mënyrën se si mazhoranca trajton çështjen e barazisë para ligjit dhe funksionimin e drejtësisë.
Sipas tij, deklaratat e Ramës në Samitin e Diasporës se në Shqipëri “nuk ka paprekshmëri dhe ka barazi para ligjit” nuk pasqyrojnë realitetin, por janë thjesht retorikë politike.
Këlliçi pretendon se më 12 mars, me votimet në Kuvend, është dhënë një mesazh i kundërt, i cili sipas tij sugjeron mbrojtje politike për përfaqësues të mazhorancës dhe bashkëpunëtorë të saj.
Ai shtoi se pas këtyre zhvillimeve, qeveria vazhdon të mbajë një qëndrim publik që nuk përputhet me veprimet e saj në Parlament, duke akuzuar Kryeministrin për mungesë përgjegjësie politike dhe përpjekje për të deformuar perceptimin publik.
Në përfundim, deputeti demokrat kërkoi që Kryeministri dhe bashkëpunëtorët e tij të përballen me drejtësinë për buzime të dyshuara me fondet publike, duke theksuar se një qasje e tillë është e domosdoshme për integrimin europian të vendit./A.D
