Inxhinieri Arben Meçe tha sot se fasadat e pallateve, të ndëruara me polisterol e më pas me suvatim me grafiato janë tejet të rrezikshme për qytetarët.
Në një dalje televizive, inxhinieri u shpreh kjo teknologji nuk duhet të përdoret më, pasi polisteroli është një produkt naftor, që përdoret për të vënë zjarr, e si pasojë është shumë e vështirë që të shuhet.
Sipas inxhinierit, një tjetër rrezik që vjen nga ky material është edhe rritja e sasisë së tymit që prodhohet nga oksidi i karbonit, duke shkaktuar asfiksi.
“Po digjet fasada dhe në të dyja rastet do të ndodhë e njëjta ngjarje. Sot në Shqipëri teknologjia e bërjes së fasadave të ngrohta është me polisterol, e më pas suvatim me grafiato. Të gjitha pallatet bëhen në këtë formë. Kjo teknologji duhet të zhduket sepse ka risk. Të dyja, edhe rasti i parë dhe ky, në themel kanë polisterolin, i cili është produkt naftor dhe përdoret për të vënë zjarr dhe është e vështirë të shuhet. Në rastin e parë, zjarri pas Bashkisë së Tiranës, fasada ishte e ajruar dhe kishte polisterol, ndërsa kjo fasadë ka suvatimin, polisterolin dhe grafiaton.
Kontakti i polisterolit me ambientin është inekzistent. Ngjarja po ndodh në një situatë që lë shumë debat; të gjitha pallatet në Tiranë kanë këtë material dhe është potencialisht i djegshëm. Nëse kemi një piroman, mund t’i vërë flakën gjithë Tiranës. Duhet hetuar nëse kemi të bëjmë me një piroman, me një akt terrorist apo nga pakujdesia. Nga pakujdesia e përjashtoj, sepse është një teknologji që nuk kontakton me energjinë elektrike; duhet të jetë një masë e madhe.
Tymi që del është i zi dhe kemi të bëjmë me material të ftohtë; me ujë nuk e shuan dot. Vetëm shkuma e shuan këtë material. Ky zjarr është bombë për çdo apartament; materiali kapot merr flakë kur të duash. Rreziku i tij është asfiksia, përveç zjarrit, sepse tymi që prodhohet është oksid karboni, që është helmuesi më i madh”,-tha Meçe./mxh
