Sociologu Gëzim Tushi analizoi sot shkaqet kryesore të rritjes së divorceve, kryesisht lidhur me rastet e kërkuara nga gratë.
Në një program në A2 CNN, Tushi u shpreh se në ditët e sotme, femrat janë intelektualisht dhe konceptualisht më të formuara krahasuar me disa dekada më parë.
Sipas sociologut, krijimi i një identiteti preciz dhe ideja e xhelozisë apo pengimit të karrierës, janë ndër shkaqet që shtyjnë drejt një martese hipokrite që përfundon në divorc.
“Sapo hyn në martesë duket sikur ke rënë në një grackë dhe fillojnë të dalin ngërçet e palëve, kërkon individualitetin e vet, nuk bien dakord për ndarjen e detyrave në familje, secili bëhet egoist, egocentrik, vendos veten në qendër. Pse te ne numrin më të madh të divorceve e kërkojnë femrat? Femrat e sotshme janë më të mira se femrat e djeshme, në mënyrë të padiskutueshme, edhe konceptualisht, edhe intelektualisht, edhe më të bukura, edhe më të mençura, por ato sot kanë një identitet preciz për veten e vet dhe nuk pranojnë më të jenë qenie të skllavëruara. Nuk pranojnë më të jenë qenie të dorës së dytë. E vetmja formulë është ‘të lirë së bashku’. Nëse ia bllokon hapësirën për shkak të xhelozisë, e mbyt tjetrin, i ndalon karrierën…xhelozia fillon të bëhet delirante, e sëmurë, retrospektive. Për të mos pasur martesë hipokrite, duhet të kenë parime të përbashkëta”,-u shpreh sociologu./kb
