Ervin Salianji, ka reaguar ashpër pas ngjarjes së zjarrit në një pallat në Tiranë, duke kritikuar lidershipin aktual të opozitës për mungesë reagimi në terren.
Sipas Salianjit, një Parti Demokratike me një lidership të pakapur nuk do të qëndronte duke zhvilluar analiza në Berat, por do të ishte pranë qytetarëve në kryeqytet, aty ku ndodhi ngjarja e rëndë. Ai thekson se vendi ku u përfshi nga flakët pallati është “skena e krimit” dhe përfaqëson, sipas tij, modelin e korrupsionit dhe babëzisë në ndërtim.
Deputeti akuzon drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama, duke e lidhur situatën me atë që ai e cilëson si politika të ndërtimit pa kontroll, leje pa kriter dhe mungesë standardesh sigurie, që sipas tij rrezikojnë jetën dhe pronat e qytetarëve.
Reagimi i plotë i Salianjit:
Një Parti Demokratike me lidership të pakapur nuk do rrinte duke bërë analiza ne Berat. Do ishte sot gardh te pallati i djegur në mes të Tiranës! Aty është modeli i babëzisë korruptive të Ramës që sjell pasoja fatale për jetën, shëndetin dhe pronat e qytetarëve!
Aty është skena e krimit. Aty është prova e gjallë e babëzisë për fitim të shpejtë, betonit pa plan, ndërtimeve pa cilësi, lejeve pa hesap, materialeve pa kontroll dhe korrupsionit që ka marrë peng jetën e qytetarëve. Por jo… lidershipi i sotëm i PD-së ka halle të tjera. Ka merak për Armand Lilon.
Po, për atë që ka ndërtuar gjysmën e Tiranës, për atë që bëri 4 kate pa leje në mes të kryeqytetit dhe ligji nuk guxoi ta prekë.
Po, për atë që është simbol i lidhjes së pisët mes pushtetit dhe parasë.
Kur digjen pallatet dhe rrezikohen jetët e qytetarëve, nuk ka vend për heshtje.
Heshtja është bashkëfajësi dhe le dyshime të forta për ortakëri me qeverinë, prandaj duhet ndryshim!
