Prokuroria Themelore e Prishtinës ka kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt.
Ngjarja e bujshme ndodhi më 29 nëntor 2023, e kryer në prani të dy fëmijëve të mitur të viktimës, të cilët në atë kohë ishin vetëm 4 dhe 6 vjeç.
Në fjalën përfundimtare, prokurorja e rastit, Javorka Perlinqeviq, deklaroi se provat e mbledhura dëshmojnë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen.
Sipas Prokurorisë, gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk është evidentuar asnjë rrethanë lehtësuese në favor të të akuzuarve. Përkundrazi, është vënë në pah rëndësia e veçantë e krimit, mënyra e kryerjes së tij, si dhe sjellja e të akuzuarve pas ngjarjes, përfshirë përpjekjet për manipulim dhe ndikim në opinionin publik.
Në përfundim, Prokuroria i propozoi gjykatës që të shpallë fajtorë të akuzuarit dhe, duke marrë parasysh natyrën dhe rrethanat e krimit, si dhe mungesën e çdo rrethane lehtësuese, të shqiptojë ndaj tyre dënimin maksimal për vrasje të rëndë, burgim të përjetshëm/kb
