Më 18 prill të vitit 1506 u hodhën themelet e një monumenti madhështor të besimit të krishterë.
Nga Leonard Veizi
Roma përveçse një qytet modern, me tram, metro e korsi biçikletash, është po aq një përvojë që të përpin me shtresat e saj të pafundme të historisë. Teksa ecën nëpër rrugët e saj me kalldrëm, ndjen sikur çdo hap më transporton në një epokë tjetër.
E zakonshmja e një turisti nis nga madhështia e Koloseut, ku hijet e gladiatorëve duket se ende rrinë pezull mbi gurët e lashtë, për t’u humbur më pas në rrënojat e Forumit Romak, zemra e rrahur e dikurshme e Perandorisë. Pastaj ngjiten shkallët drejt Panteonit, ku kupola hapet si një sy mistik drejt qiellit, dhe në vazhdim gjendesh përpara hijeshisë së “Fontana di Trevi” apo Shatërvanit Trevi, duke hedhur atë monedhën simbolike që premton rikthimin. Në Vatikan, përballë Bazilikës së Shën Pjetrit, kupton përmasën e vërtetë të besimit dhe gjenisë njerëzore, ndërsa në Kapelën Sistine, nën tavanin e Mikelanxhelo-s, ndjen një heshtje që nuk ka nevojë për fjalë. Në fund, në “Piazza Navona”, mes muzikës dhe dritave të mbrëmjes, Roma më dëshmoi se nuk është një muze i ngrirë, por një qytet që jeton, merr frymë dhe të rrëmben përgjithmonë.
Por është pikërisht hyrja në Bazilikën e Shën Pjetrit ajo që e përmbylli udhëtimin me një ndjesi të thellë përulësie. Nën kupolën gjigante, njeriu ndihet i vogël përballë historisë dhe vullnetit që ngriti këtë mrekulli. Atëherë e kupton: Roma nuk është më thjesht një destinacion turistik, ajo bëhet një pjesë e jotja.
Kthim në kohë
Por cila është historia e Bazilikës së SHën Pjetrit?
Më 18 prill të vitit 1506, në zemër të Romës, u hodh një gur që do të mbante mbi vete jo vetëm një ndërtesë madhështore, por edhe ambiciet, besimin dhe konfliktet e një epoke të tërë. Ishte dita kur nisi ndërtimi i bazilikës së re, një projekt titanik që do të zgjaste më shumë se një shekull.
Në atë vend kishte ekzistuar më parë një kishë e shekullit IV, e ndërtuar nga Konstandini i Madh mbi vendin ku besohej se ishte varrosur Apostulli Pjetër. Por, me kalimin e kohës, ajo bazilikë ishte rrënuar dhe nuk i përgjigjej më lavdisë që kërkonte Kisha Katolike në prag të Rilindjes.
Ceremonia e gurthemelit
Ishte një ngjarje solemne dhe tejet simbolike. Vetë Papa Juli II, në moshën 63-vjeçare, mori pjesë personalisht. Në një gropë të thellë të hapur për këtë qëllim, ai zbriti për të vendosur një kuti mermeri, brenda së cilës ndodheshin 12 medaljonë të mbyllur hermetikisht – simbol i 12 apostujve. Në njërën anë të tyre ishte gdhendur imazhi i Papës, ndërsa në anën tjetër paraqitej vizioni i bazilikës së re.
Të pranishëm në atë çastishin figura që kanë shënjuar historinë botërore: Cesare Borxhia dhe Nikolo Makiaveli. Personalitete që më vonë do të ngjiteshin në fronin papal.
Ky ishte një takim i rrallë i pushtetit politik, mendimit filozofik dhe autoritetit fetar – një pasqyrë e gjallë e vetë Rilindjes.
Ndërtimi nuk ishte një rrugëtim i lehtë. Ai zgjati rreth 120 vjet, duke konsumuar energjitë e brezave të tërë arkitektësh – nga Bramante te Mikelanxhelo e Bernini, – derisa u përurua më 18 nëntor 1626.
Dritëhijet
Pas këtij shkëlqimi arkitekturor fshihej edhe një realitet i tensionuar. Një pjesë e financimit u sigurua përmes shitjes së indulgjencave, që në vetvete është falja e mëkateve kundrejt pagesës. Kjo praktikë u bë shkëndija që nxiti kritikat e ashpra të Martin Luter-it, duke shërbyer si katalizator për Reformën Protestante që ndryshoi përgjithmonë hartën fetare dhe politike të Evropës.
Në të tashmen
Sot, në hyrje të Bazilikës së Shën Pjetrit, ndjesia është një paradoks modern. Radhët e gjata të turistëve përzihen me pelegrinët e devotshëm, ndërsa zhurma e kontrolleve të sigurisë krijon një kontrast të fortë me qetësinë që të pret brenda.
E megjithatë, sapo kalon pragun, bota e jashtme zhduket. Drita që bie si shtyllë e artë nga kupola, ftohtësia e mermerit dhe përmasat e pafundme të rikthejnë në një dimension tjetër. Bazilika sot nuk është vetëm një monument i së kaluarës; është një vend ku hyjnorja dhe modernia bashkëjetojnë në një ekuilibër të brishtë, duke e bërë përvojën më njerëzore dhe më reale se kurrë.
