Në kuader te eventit nderkombetar Muse-X , qe po zhvillohet ne Tirane, u organizua paneli me temë “Rajonet e vogla si korniza”. Eekspertë nga Shqipëria dhe Italia kanë diskutuar mbi zhvillimin e industrisë kreative dhe bashkëpunimin ndërrajonal përgjatë Adriatikut, duke vënë në dukje si potencialin e madh të sektorit, ashtu edhe sfidat që ende pengojnë konsolidimin e tij.
Sekretari i Përgjithshëm i Unionit të Rajonit të Pulias, Vincenzo Bellini, vlerësoi transformimin e Shqipërisë ndër vite dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit kulturor mes dy vendeve, duke e konsideruar industrinë kreative një motor të rëndësishëm ekonomik dhe social.
Gjatë diskutimeve u theksua roli i institucioneve arsimore në formimin e artistëve të rinj, si dhe nevoja për një kuadër më të plotë ligjor dhe institucional që të mbështesë zhvillimin e sektorit nga edukimi deri te tregu.
Përfaqësues të institucioneve publike dhe të agjencive të investimeve theksuan se Shqipëria ndodhet në një fazë tranzicioni në industrinë kreative, por me perspektivë të qartë zhvillimi, ndërsa po punohet për strategji dhe nisma ligjore që nxisin investimet në art dhe kulturë.
Në fokus u vendos edhe industria audiovizuale, ku u vlerësua roli i kinemasë shqiptare si një nga sektorët më të konsoliduar në eksportin kulturor të vendit.
Nga ana tjetër, përfaqësues të sektorit të teatrit ngritën shqetësime për mungesën e instrumenteve mbështetëse dhe vështirësitë në bashkëpunimet ndërkombëtare.
Diskutimi nxori në pah nevojën për forcimin e strukturave ligjore dhe institucionale, në mënyrë që potenciali artistik dhe krijues i Shqipërisë të shndërrohet në një industri të qëndrueshme dhe konkurruese në tregun ndërkombëtar./kb
