Last Updated on 19/04/2026 by Monika
Rritja e aktivitetit ekonomik, zgjerimi i punësimit dhe rritja e pagave kanë bërë që ekonomia shqiptare të ketë ecuri pozitive.
Këto ishin disa nga pikat që Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ndau gjatë mbledhjes së Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore në SHBA.
Në fokus ishte edhe situata gjeopolitike nga konflikti në Lindjen e Mesme që ka pasur impakt edhe në ekonominë globale.
“Sa i përket perspektivave të ardhshme, pasiguritë në mjedisin e jashtëm lidhur me zhvillimet gjeopolitike dhe luhatjet në çmimet e energjisë mbeten rreziqe të rëndësishme për ecurinë ekonomike dhe kërkojnë një vëmendje të shtuar në vijim. Pavarësisht kësaj, autoritetet shqiptare mbeten të angazhuara për të përballuar çdo situatë”, tha Sejko.
Përfaqësuesit e FMN-së dhe Bankës Botërore vlerësuan progresin e arritur nga Shqipëria në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe nënvizuan rëndësinë e vijimit të politikave të kujdesshme për të përballuar rreziqet e jashtme.
Gjithashtu, u përmend edhe vlerësimi i fundit i ekonomisë shqiptare nga Moody’s me “Ba3”, me perspektivë të qëndrueshme, çka reflekton qëndrueshmërinë përballë goditjeve të jashtme, si dhe progresin e arritur në drejtim të stabilitetit makroekonomik dhe konsolidimit fiskal./mxh
