Komisionerja evropiane për zgjerimin e BE-së, Marta Kos ka deklaruar se Shqipëria mund të bëhet pjesë e bllokut edhe më para se viti 2030.
Në Këshillin Atlantik, Kos ka folur për progresin e Shqipërisë dhe Malit të Zi lidhur me negociatat për anëtarësim, ku tha se për këtë proces nuk caktohen data, për shkak se është i bazuar në meritë.
“Në Ballkanin Perëndimor, kemi dy kandidatë kryesorë, Malin e Zi që shpreson të mbyllë të gjitha kapitujt e tij deri në fund të këtij viti, dhe pastaj Shqipërinë që ka shprehur vendosmërinë për të mbyllur negociatat deri në fund të vitit të ardhshëm. Zakonisht, ne nuk caktojmë data në procesin e zgjerimit, sepse ky proces është i bazuar në meritë. Pra, varet se si po i arrijnë rezultatet shtetet kandidate. Por sigurisht, ne mbështesim objektivat e tyre ambicioze. Së pari, Mali i Zi, me 650 mijë banorë, mund të bëhet shteti anëtar i 28-të i BE-së. Është gjithashtu e mundur që Shqipëria të bëhet anëtare e BE-së deri në vitin 2030 ose edhe më herët”, tha ajo.
Ndër të tjera, komisionerja ka theksuar se një vend bëhet anëtar i BE-së ose me të gjitha të drejtat e plota ose nuk anëtarësohet.
“Nuk ka anëtarësim “light”. Ose je anëtar dhe atëherë i merr të gjitha të drejtat. Ose nuk je anëtar dhe nuk i merr të drejtat. Por sigurisht, e kuptoj këtë letër nga zoti Vuçiç dhe Rama, në kuptimin që nëse BE-ja do të ketë probleme, e dini, për të vazhduar me procesin e zgjerimit, ata do të ishin të kënaqur me diçka më pak. Kjo është zgjedhja e tyre. Unë nuk e mbështes këtë, sepse roli im është t’i ndihmoj ato vende të bëhen anëtare të plota të BE-së. Rregulli i thjeshtë është ky: nëse një vend përmbush të gjitha reformat dhe kriteret, duhet të bëhet anëtar i plotë i Bashkimit Evropian. Kështu është ndërtuar edhe Traktati ynë Evropian”, është shprehur Kos.
Më tej, ajo është shprehur se në Bashkimin Evropian nuk mund të lejohet të anëtarësohet një shtet që e dobëson unionin.
“Mendoj se nuk mund të përballojmë të kemi një shtet të ri anëtar që do të na dobësojë. Ne nuk jemi një grup miqsh, ne jemi një bashkësi vlerash, dhe sapo një shtet dëshiron të jetë pjesë e kësaj bashkësie vlerash dhe të gjitha përfitimeve, duhet të sillet mirë dhe duhet të jetë një djalë i mirë, jo një djalë i keq. Ne duhet të ndjekim edhe interesat e shteteve anëtare, shqetësimet e tyre”, tha komisionerja./mxh
