Joe Jonas ka vendosur t’i japë fund aludimeve dhe ta bëjë publike lidhjen e tij me modelen Tatiana Gabriela. Këngëtari ndau në Instagram disa momente nga udhëtimi në Porto Riko, duke tërhequr menjëherë vëmendjen e fansave.
Në një prej fotove bardh e zi, dyshja shfaqen shumë pranë njëri-tjetrit, duke vulosur kështu konfirmimin e parë publik të marrëdhënies së tyre. Deri më tani, Gabriela nuk ishte shfaqur në rrjetet sociale të artistit, edhe pse prej kohësh përflitej për një lidhje mes tyre.
Raportohet se njohja mes tyre ka nisur që në fund të verës së kaluar, ndërsa së fundmi ata janë parë gjithnjë e më shpesh së bashku. Në një video nga qëndrimi në San Juan, Joe shfaqet në shoqërinë e saj, duke e thirrur me përkëdheli “Tati” dhe duke treguar se ajo po e ndihmon të përmirësojë spanjishten.
Çifti ka kaluar kohë në ambiente të ndryshme, nga darka romantike deri te udhëtime në vende me rëndësi personale për këngëtarin, si dhe vizita në natyrë. Sipas mediave ndërkombëtare, ata janë parë së bashku në disa qytete si Los Anxhelos, Nju Jork dhe Miami, ndërsa Gabriela ishte gjithashtu e pranishme në Coachella për të mbështetur Jonas gjatë një performance surprizë.
Kjo lidhje vjen pas divorcit të Joe Jonas me aktoren Sophie Turner, me të cilën ai ka dy fëmijë. Burime pranë këngëtarit sugjerojnë se, ndryshe nga njohjet e mëparshme pas ndarjes, kjo marrëdhënie po shihet si më e qëndrueshme dhe me potencial afatgjatë./mxh
