Ministria e Jashtme e ka cilësuar si të pavërtetë mesazhin e ministrit Ferit Hoxha të publikuar në media dhe ku i cilësonte shqiptarët si “idiotë”. Në reagimin e ministrisë thuhet se ai mesazhi “nuk ka asnjë lidhje me realitetin”.
“Zëdhenësi i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh keqardhjen për publikimet e shpërndara sot në mediat sociale, të cilat pretendojnë të paraqesin komunikime të brendshme, por që në fakt janë të pavërteta. Ato nuk kanë asnjë lidhje me realitetin. Komunikimi i servirur publikut është i paqenë.
Është për të ardhur keq që pretendime të tilla fabrikohen dhe më pas amplifikohen nga aktorë politikë në vend. Kjo nuk është hera e parë që në arenën publike hidhen pretendime se anëtarë të shërbimit të jashtëm gjoja shkelin betimin e tyre. Ministri Hoxha shpreh besim të plotë në ndershmërinë dhe profesionalizmin e Shërbimit të Jashtëm, i cili vijon të përmbushë detyrat me përkushtim, duke u fokusuar në punën e tij dhe duke mos u ndikuar nga zhurmat dhe tymnajat e qëllimshme”, thuhet në reagimin e ministrisë.
Deputeti Belind Këlliçi u shpreh më herët se Ferit Hoxha nuk mund të jetë kryediplomat i Tiranës nëse mendon në këtë mënyrë për shqiptarët.
Ai thekson se kjo është një gjuhë e papranueshme dhe se ministri duhet të mbajë përgjegjësi për mënyrën se si është shprehur për shqiptarët./mxh
