Rudina Tahiri, shkencëtare shqiptare në Londër e fokusuar në terapitë qelizore, vjen për herë të parë me një rrëfim ndryshe për audiencën shqiptare në ZëmeMirën Podcast, një ndërthurje mes shkencës, filozofisë dhe përvojës personale në laborator.
Ajo ngre një nga pyetjet më të vjetra të njerëzimit: pse trupi i njeriut funksionon në një rend kaq të përsosur?
Sipas Tahirit, përgjigjja nuk është vetëm biologjike.
“Jeta dhe vdekja janë etapa,” thotë ajo. “Ne vijmë si një trup që bashkohet me shpirtin dhe largohemi kur kjo lidhje prishet. Por kjo nuk do të thotë se gjithçka mbaron aty.”
Në qendër të diskutimit qëndron ADN-ja, thelbi i informacionit tonë biologjik.
“Trupi dekompozohet, por ADN-ja nuk zhduket,” thekson ajo, duke hapur debat mbi kufijtë e jetës dhe mundësinë e vazhdimësisë.
Në këtë pikë, gazetarja Mira Kazhani shtron pyetjen që sfidon vetë thelbin e ekzistencës: a mund të ketë përjetësi? A mund të rikrijohet njeriu përmes ADN-së?
Përgjigjja e Tahirit është e drejtpërdrejtë, por jo pa nuanca: “Teknikisht, po.” Megjithatë, ajo sqaron se rikrijimi biologjik nuk është i barabartë me rikthimin e individit si qenie unike.
“Identiteti njerëzor nuk është vetëm trupi. Prandaj, edhe pse shkenca mund të shkojë shumë larg, vdekja mbetet e pashmangshme.”
Një moment kyç në rrëfimin e saj është përvoja në laborator disa vite më parë, kur u përball me fenomene që nuk mund t’i shpjegonte vetëm me logjikën shkencore.
“Ai nivel perfeksioni më bëri të mendoj se ka diçka përtej nesh,” shprehet ajo.
Pavarësisht kësaj, Tahiri mbetet optimiste për të ardhmen: sipas saj, brenda një dekade, zhvillimet në terapitë qelizore mund të sjellin një jetë pothuajse pa sëmundje.
Por një gjë mbetet e sigurt: jo një jetë pa vdekje./tiranapost.al
