Presidenti iranian Masoud Pezeshkian, u ka bërë thirrje qytetarëve të ulin konsumin e energjisë elektrike për shkak të mungesave serioze në furnizim, raportoi agjencia “Mehr”.
Ai theksoi se edhe masa të thjeshta, si përdorimi i më pak dritave në shtëpi, mund të ndihmojnë në përballimin e situatës.
Sipas presidentit Pezeshkian, kriza është shkaktuar kryesisht nga sulmet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit ndaj infrastrukturës së vendit, si dhe nga ajo që ai e cilësoi si “rrethim”, duke iu referuar bllokadës detare amerikane në Ngushticën e Hormuzit dhe porteve iraniane.
Megjithatë, organizata si “International Energy Agency” dhe analistë të pavarur theksojnë se problemet kanë disa shkaqe, përfshirë infrastrukturën e vjetëruar, çmimet e subvencionuara nga shteti dhe mangësitë në menaxhim.
Vëzhguesit e shohin thirrjen e presidentit si tregues të seriozitetit të situatës, ndërsa autoritetet në Teheran po përpiqen të shmangin një valë të re pakënaqësish sociale, pas protestave masive të janarit.
Ndërprerjet e energjisë kanë shkaktuar më parë protesta në mbarë vendin./mxh
