Last Updated on 27/04/2026 by Anisa
Ish-Presidenti Ilir Meta ka reaguar me një deklaratë të fortë politike pas sencës në GJKKO, ku kritikon ashpër mënyrën e funksionimit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri dhe zhvillimet rreth procesit të tij gjyqësor.
Meta e cilëson situatën si një “drejtësi me regji”, duke pretenduar se standardet e gjykimit në vend nuk janë në përputhje me parimet kushtetuese dhe ato të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Ai shprehet se, sipas tij, proceset gjyqësore ndaj figurave publike në Shqipëri nuk kanë respektuar gjithmonë standardet ndërkombëtare të drejtësisë së drejtë dhe transparente.
Në deklaratën e tij, Meta bën krahasime me raste të ndryshme gjyqësore në vende të tjera evropiane, duke argumentuar se në Shqipëri po krijohet një praktikë e ndryshme nga ajo që ai e konsideron standard demokratik perëndimor. Ai përmend gjithashtu se, sipas tij, proceset ndaj tij karakterizohen nga vonesa dhe zvarritje të seancave gjyqësore.
Më tej, Meta e lidh këtë situatë me një kritikë më të gjerë politike ndaj sistemit dhe aktorëve të drejtësisë, duke pretenduar se procesi ndaj tij ka prapavijë politike. Ai deklaron se mbetet i vendosur në qëndrimet e tij dhe e konsideron veten të padrejtësisht të goditur nga zhvillimet aktuale.
Reagimi i plotë:
Asnjë çudi nga Drejtësia me Regji.
Edhe kur Shqipëria nuk ishte anëtare e Këshillit të Europës, funksionarët publikë gjykoheshin pranë avokatëve të tyre dhe çdo seancë gjykimi transmetohej live.
Por në drejtësinë e George Sorosit, të realizuar me angazhimin e ditur të Charles McGonigal dhe plot të tjerëve si ai, në vend që të respektohet Kushtetuta, Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe thirrja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, shndërrohet në normë standardi i gjykimit të një terroristi në Francë dhe jo standardi i gjykimit të Presidentit të Francës, Sarkozi.
Madje drejtësia sorosiste nuk respekton as standardin e gjykimit të ish-Kryeministrit Nano dhe ish-funksionarëve të regjimit komunist, kur e theksoj, Shqipëria nuk ishte anëtare e Këshillit të Europës.
Loja e zvarritjeve të seancave, me sebepe nga më të ndryshmet, vazhdon nën dirigjimin e prokurorëve, të cilët dihet se kush i komandon.
Sidoqoftë, ka një “koherencë” të plotë, nga standardet e rrëmbimit tim më 21 tetor 2024 e deri te standardet e sotme të gjykimit, sepse për këtë regjim kukullash, të jesh patriot ne fakt do të thotë të jesh terrorist.
Jam krenar për patriotizmin tim dhe kjo më bën të pamposhtur dhe superior përballë burracakëve, që i shërbejnë bandës ndërkombëtare të George Sorosit dhe Kuislingut të tij në Tiranë, që ka nxjerrë në shitje çdo interes kombëtar.