Rekordi për tiramisunë më të gjatë në botë është thyer në Londër.
Njëqind shefa italianë u mblodhën në “Chelsea Town Hall” gjatë fundjavës për të përgatitur një tiramisù aq të gjatë sa të tejkalonte rekordin e mëparshëm të vendosur nga Galbani në Milano, që ishte 273.5 metra.
Sipas rregullave të Guinness World Records, tiramisùja rekord u përgatit në vend dhe u përdorën 50,000 biskota “ladyfinger” dhe më shumë se 3,000 vezë.
Rekordi u thye pasi ëmbëlsira arriti gjatësinë 440.6 metra.
Mirko Ricci, personi që qëndron pas kësaj përpjekjeje në Londër, e kishte mbajtur më parë këtë rekord në vitin 2017 në Itali, por një ekip tjetër italian e theu atë në vitin 2019.
Ricci tha se tiramisùja është “ëmbëlsira më e jashtëzakonshme që Italia ka eksportuar” dhe shtoi se ekipi vendosi ta zhvillojë këtë përpjekje në Mbretërinë e Bashkuar, në shenjë falënderimi për vendin.
Ai shtoi se ëmbëlsira gjigante iu kushtua Mbretit dhe Familjes Mbretërore dhe u përfundua me një kurorë të artë në majë.
Ricci falënderoi të gjithë ata që morën pjesë në këtë event që zgjati gjatë gjithë fundjavës, duke thënë: “Ky është një rekord për ne”.
Shefi i kuzhinës Carmelo Carnevale tha se tiramisùja duhej të ishte të paktën 8 cm e lartë dhe 15 cm e gjerë për të thyer rekordin.
I pyetur se çfarë e bën një tiramisù të mirë, Carnevale u përgjigj: “Një kafe shumë e mirë, një krem i butë dhe i qëndrueshëm, dhe mbi të gjitha shumë pasion”./fjala.al
