Të rritësh një fëmijë nuk është vetëm një proces që mbaron kur ai bëhet i pavarur. Në fakt, për shumë prindër, sfida e vërtetë fillon pikërisht aty: në momentin kur fëmija rritet, krijon jetën e tij dhe duhet të zgjedhë vetë nëse do të qëndrojë emocionalisht i lidhur me ty apo jo.
Sepse në fund, ajo që çdo prind shpreson nuk është thjesht suksesi i fëmijës, por fakti që ai të vazhdojë të kthehet, të ndajë me ty histori, të të kërkojë, të të mbajë pjesë të jetës së tij, jo sepse ndihet i detyruar, por sepse ka dëshirë.
Sipas psikologes Reem Raouda, e cila ka studiuar mbi 200 raste të marrëdhënieve prind-fëmijë, ndryshimi nuk vjen domosdoshmërisht nga gjërat që prindërit bëjnë, por ato që zgjedhin të mos bëjnë. Janë pikërisht këto kufij të padukshëm që ndërtojnë një marrëdhënie që i reziston kohës.
Ja 6 gjërat që prindërit me lidhjet më të forta me fëmijët e tyre nuk i bëjnë:
Nuk përpiqen ta kontrollojnë fëmijën e tyre
Ata e kuptojnë se të detyrosh një fëmijë të të bindet nuk krijon lidhje të qëndrueshme. Në vend që të kërkojnë të kenë gjithmonë fjalën e fundit apo të detyrojnë fëmijën të marrë vendime siç prindërit tuaj, zgjedhin të ndërtojnë një marrëdhënie ku bashkëpunimi dhe mirëkuptimi vijnë natyrshëm, duke lënë hapësirë për dialog.
Nuk i minimizojnë apo mohojnë emocionet e fëmijës
Në vend që të mbyllin ndjenjat me fraza si “nuk është asgjë”, “do kalojë” apo “mos e bëj kaq të madhe”, ata i japin hapësirë emocioneve, duke i bërë fëmijët të ndihen të dëgjuar dhe të kuptuar. Kjo krijon një siguri emocionale që mbetet edhe në moshë të rritur.
Nuk përpiqen ta ndryshojnë atë që fëmija është në thelb
Ata nuk e shohin fëmijën si diçka që duhet “rregulluar” për t’iu përshtatur pritshmërive. Edhe kur personaliteti i fëmijës sfidon, ata zgjedhin ta pranojnë, duke ndërtuar një marrëdhënie ku autenticiteti nuk penalizohet.
Nuk e lidhin vlerën e fëmijës me arritjet e tij
Për këta prindër, fëmija nuk është vetëm rezultatet që arrin, te notat që merr në shkollë apo sukseset e tjera. Ata qëndrojnë të pranishëm si në fitore, ashtu edhe në dështime, duke e bërë të qartë se dashuria dhe pranimi nuk varen nga performanca.
Nuk gjykojnë në momentet më të vështira
Kur fëmija gabon, ata nuk reagojnë me kritika të menjëhershme, por me kuriozitet dhe dëshirë për të kuptuar. Kjo e bën marrëdhënien një hapësirë të sigurt ku gabimet nuk fshihen, por ndahen.
Nuk shmangin përgjegjësinë kur gabojnë si prindër
Ata janë të gatshëm të kërkojnë falje dhe të pranojnë kur kanë reaguar keq, pa justifikime dhe pa e fshehur që kanë faj. Kjo krijon një model të shëndetshëm marrëdhënieje, ku respekti është i ndërsjellë dhe i qëndrueshëm.
Këto nuk janë rregulla të mëdha apo teori të komplikuara. Janë zgjedhje të vogla, të përditshme, që përsëriten në mënyrë të qëndrueshme dhe që, me kalimin e kohës, ndërtojnë një marrëdhënie ku fëmija nuk ndihet i detyruar të qëndrojë, por zgjedh vetë të mos largohet./mxh
