Friedrich Merz ka shprehur shqetësim të thellë për mungesën e një strategjie të qartë nga ana e Shteteve të Bashkuara në konfliktin me Iranin, duke paralajmëruar se situata aktuale është “mjaft e ndërlikuar” dhe me pasoja të drejtpërdrejta për ekonominë evropiane.
Gjatë një fjalimi para studentëve në rajonin e Nordrhein-Westfalen, kancelari gjerman theksoi se përvoja nga konfliktet e mëparshme, si në Afganistan dhe Irak, tregon se ndërhyrjet ushtarake pa një plan të qartë daljeje mund të sjellin pasoja afatgjata.
Merz deklaroi se Irani po luan një rol të fortë në këtë situatë, duke e cilësuar qasjen e tij në negociata si shumë të aftë, ndërsa kritikoi SHBA-të për mungesë strategjie bindëse. Sipas tij, kjo ka çuar në një situatë ku “një komb i tërë po poshtërohet” nga udhëheqja iraniane, veçanërisht nga Gardat Revolucionare.
Ai gjithashtu bëri të ditur se Evropa ka ofruar ndihmë për të siguruar hapjen e Ngushticës së Hormuzit, duke përfshirë dërgimin e anijeve gjermane për pastrimin e minave detare. Megjithatë, ai theksoi se një ndërhyrje e tillë mund të ndodhë vetëm pasi të ndalen luftimet.
Në përfundim, kancelari gjerman paralajmëroi se konflikti po ka ndikim të drejtpërdrejtë negativ në ekonominë gjermane, duke rritur kostot dhe duke rënduar mbi taksapaguesit. Ai bëri thirrje për përfundimin sa më të shpejtë të luftës, duke theksuar urgjencën për stabilitet në rajon./mxh
