Avokatja Adriana Kalaja ka dhënë një deklaratë për mediat nga Gjykata e Posaçme, ku bëri me dije se ishte paraqitur për një kallëzim të bërë ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliajt, ish-drejtorit të përgjithshëm juridik të bashkisë, Alban Dokushit dhe përmbaruesit gjyqësor Besnik Dokushi.
Kalaja u shpreh se Besnik Dokushi është vëllai i ish-drejtorit juridik të bashkisë dhe ai ka përfituar pjesën dërrmuese të çështjeve për ekzekutim, vlera e të cilave arrin në 6.8 milionë euro.
Sipas saj kjo vlerë është shumë e lartë në krahasim, me të gjithë zyrat e tjera që kanë ekzekutuar një vlerë prej vetëm 500 mijë eurosh. Avokatja bëri me dije se seanca e planifikuar për sot është shtyrë për në 19 maj, me kërkesë të saj.
“Bëhet fjalë për një kallëzim penal që kemi depozituar pranë SPAK. Subjekte të këtij kallëzimi ishin Erion Veliaj, në cilësinë e kryebashkiakut të Tiranës, Alban Dokushi, ish-drejtori i përgjithshëm juridik pranë kësaj bashkie dhe përmbaruesi Besnik Dokushi, vëllai i Alban Dokushit. Kishim konstatuar se mbi 90% të ekzekutimeve të vendimeve gjyqësore dhe problematikave të bashkisë Tiranë kalonin nga zyra e vëllait të Alban Dokushit, shumë e cila kapte vlerën e 6.8 milionë eurove. SPAK e kishte dërguar këtë çështje për moskompetencë në Prokurorinë e Tiranës, ndërkohë kjo e fundit vendosi pushim të çështjes.
Këtë ne e denoncuam në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë ku gjyqtari e kaloi çështjen për kompetencë në GJKKO. Sot unë kërkova shtyrjen e kësaj seance sepse mu duk e cuditshme që në njoftimin e seancës nuk kisha asnjë infomacion për subjektin e kallëzuar apo për numrin e procedimit penal. Kjo çështje nuk duhet të pushohet por duhet të hetohet, sepse pjesën kryesore të veprave penale në këtë çështje e ka kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. Absurde që të gjithë zyrat përmbarimore kanë ekzekutuar një shumë prej 500 mijë eurosh, ndërsa vëllai i Alban Dokushit ekzekuton një shumë prej 6.8 milionë euro. Seanca e radhës do të jetë më 19 maj”, u shpreh Kalaja./kb
