Kristjan Asllani ka shkëlqyer në javën e 32-të të Superligës turke, duke u bërë protagonist absolut te Besiktas në transfertën ndaj Gaziantepit.
Mesfushori shqiptar, i cili u rikthye në formacion si titullar, në minutën e shtatë dha asist, kur pas një harkimi të saktë nga goditja e këndit, i mundësoi Djalo të zhbllokonte rezultatin.
Vetëm 15 minuta më vonë, 24-vjeçari mori përgjegjësinë për të ekzekutuar një penallti, duke u treguar i saktë dhe duke dyfishuar shifrat në minutën e 22-të.
Kjo shihet si paraqitja më e mirë e futbollistit kuqezi që prej transferimit të tij te “Shqiponjat” e Stambollit në merkaton e janarit.
Asllani ndodhet aktualisht i huazuar te Besiktas, pasi klubi i tij zotërues, Interi, ka bërë të qartë se nuk e përfshin atë në planet e ardhshme.
Pavarësisht formës së treguar në këtë sfidë, e ardhmja e mesfushorit mbetet ende e pasigurt, pasi nuk dihet nëse klubi turk do të vendosë ta mbajë përfundimisht apo ai do të kërkojë një destinacion të ri në fund të sezonit./mxh
