Last Updated on 04/05/2026 by Kesjana
Eksperti i sigurisë, Gert Metani, ndau disa shpjegime bazuar në dispozitën penale lidhur me aksidentin tragjik që ndodhi dje në Durrës, ku si pasojë humbën jetën dy fëmijë.
I ftuar në “A2 CNN”, Metani u shpreh se në aksidentet me pasojë, e që në këtë rast ka edhe rethanën rënduese të drejtimit të automjetit nën efektin e alkoolit, bazuar në Kodin Penal, autori mund të marrë një dënim me burg për 10 vite.
“Dispozita penale është kështu: aksident me pasojë, nga një deri në pesë vite, dhe pastaj nëse ka rrethana rënduese si konsumimi i alkoolit, manovra të gabuara, shkon deri në 10 vite. E nëse ka pastaj faktorë lehtësues që personi ka dhënë ndihmën e parë, kërkesa e faljes, pendesa, reflektimi për atë që ka bërë. Unë nuk jam gjyqtar dhe normalisht do analizohen të gjitha rastet, por në bazë të Kodit Penal, dispozitave në fuqi, rrethanave që ne dimë tani për tani, mesatarja 10 vite është”, tha Metani./kb
