Last Updated on 04/05/2026 by EL
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë në ceremoninë e 70-vjetorit të shugurimit meshtarak të Ernest Simonit, e zhvilluar në katedralen Santa Maria del Fiore në Firence. Kreu i shtetit vlerësoi figurën e Kardinalit si një simbol të rrallë të qëndresës, besimit dhe sakrificës, duke e cilësuar atë një “martir të gjallë”. Ai theksoi dimensionin e jashtëzakonshëm të historisë së Kardinal Simonit, si një dëshmi që i tejkalon kufijtë personalë dhe bëhet simbol i një qëndrese kolektive ndaj persekutimit.
“Historia Juaj është dëshmi e gjallë se asnjë regjim nuk mund të shfarosë besimin dhe dinjitetin njerëzor. Historia Juaj, Kardinal Ernest Simoni, na mëson se besimi nuk matet në kohë të qeta, por në kohë sprove”, tha Presidenti.
Duke kujtuar vuajtjet e klerikëve gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri dhe sakrificën e 38 martirëve katolikë, Begaj nënvizoi se falë kësaj trashëgimie sot vendi është një model i bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare. Ai theksoi rëndësinë e ruajtjes së kësaj vlere si një përgjegjësi e përditshme për shoqërinë shqiptare.
“Kjo harmoni ndërfetare është përgjegjësi e përditshme dhe pasuri që duhet ta ruajmë, ta kultivojmë dhe ta përcjellim me krenari te brezat e ardhshëm. Por kjo liri nuk erdhi vetë”, u shpreh Presidenti Begaj.
Presidenti i Shqipërisë vuri në dukje se liria e besimit është fryt i sakrificave konkrete dhe i historive njerëzore si ajo e Kardinal Simonit. Ai shprehu gjithashtu mirënjohje për Papa Françeskun, i cili e ngriti Simonin në dinjitetin e kardinalit, duke i treguar botës shembullin e një njeriu që përballoi vuajtjet pa urrejtje dhe me përulësi dhe e renditi figurën e Kardinal Simonit në të njëjtën traditë frymëzuese me Nënë Tereza, si dëshmi se madhështia buron nga dashuria dhe përkushtimi ndaj njeriut.
Në përfundim, Presidenti uroi Kardinal Ernest Simonin për shëndet, paqe dhe jetë të gjatë, duke e cilësuar atë një pasuri të çmuar për Shqipërinë dhe një model të gjallë frymëzimi për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.


