Përgatiti: Leonard Veizi
Vetëm dymbëdhjetë javë para ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike Verore në Los Anxhelos, Bashkimi Sovjetik njoftoi zyrtarisht bojkotin e aktivitetit më të madh sportiv në botë.
Në deklaratën e transmetuar nga televizioni shtetëror sovjetik më 8 maj 1984, Moska akuzoi Shtetet e Bashkuara për politizimin e lojërave, mungesë sigurie për atletët dhe nxitje të “histerisë anti-sovjetike”. Kremlini pretendonte se atmosfera në SHBA nuk garantonte kushte normale për delegacionet e vendeve socialiste.
Vendimi shihej gjerësisht si hakmarrje politike ndaj bojkotit që SHBA dhe mbi 60 vende të tjera i bënë Olimpiadës së Moskës në vitin 1980, pas pushtimit sovjetik të Afganistanit.
Në atë kohë, Bashkimi Sovjetik drejtohej nga Konstantin Çernenko, i cili kishte marrë pushtetin vetëm pak muaj më parë. Sipas autoriteteve sovjetike, “shovinizmi” dhe propaganda anti-sovjetike në Amerikë e bënin të pamundur pjesëmarrjen e sportistëve të tyre.
Pas njoftimit të Moskës, bojkotit iu bashkuan shumica e vendeve të Bllokut Lindor, përfshirë Germania Lindore, Bullgaria, Çekosllovakia, Hungaria, Polonia, Kuba, Mongolia, Vietnami dhe Korea e Veriut.
Mungesa e Kubës u konsiderua një goditje e madhe për garat e boksit dhe baseball-it, pasi sportistët kubanë dominonin në këto disiplina gjatë asaj periudhe.
Ndërkohë, Kina konfirmoi pjesëmarrjen në Los Anxhelos, duke treguar edhe më qartë distancimin politik nga Bashkimi Sovjetik pas përçarjes kino-sovjetike.
Një rast më vete ishte Shqipëria. E njohur ndërkomtarisht si Albania, ajo nuk mori pjesë as në Olimpiadën e Moskës në 1980 dhe as në atë të Los Anxhelosit në 1984. Regjimi komunist shqiptar mbajti qëndrim të pavarur ndaj të dy superfuqive dhe nuk dha kurrë një shpjegim të plotë zyrtar për mungesën.
Në fund, Lojërat Olimpike të Los Anxhelosit u zhvilluan pa Bashkimin Sovjetik dhe shumicën e aleatëve të tij, duke e kthyer sportin edhe një herë në një fushë beteje simbolike të Cold War.
Megjithatë, pavarësisht bojkotit, Olimpiada e vitit 1984 rezultoi një sukses financiar dhe organizativ për organizatorët amerikanë, duke shënuar një moment të rëndësishëm në historinë moderne të Lojërave Olimpike.
