Last Updated on 08/05/2026 by EL
Vullnet Dervishi dhe Bruno Ceka, themelues të Organizatës Shqiptaro-Amerikane për Maqedoninë e Veriut, në bashkëpunim me organizatën “Albanians for America”, kanë zhvilluar një takim me kongresmenin amerikan Keith Self, kryetar i Nënkomisionit për Evropën, ku u diskutua në detaje situata politike dhe institucionale në Maqedoninë e Veriut.
Takimi, i u fokusua kryesisht në atë që organizatorët e cilësuan si “erozion i vazhdueshëm dhe gradual” i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.
Përfaqësuesit shqiptarë paraqitën para kongresmenit Self dhe stafit të tij një pasqyrë të detajuar të diskriminimit sistematik që, sipas tyre, buron nga zbatimi i pjesshëm dhe selektiv i kësaj marrëveshjeje kyçe për stabilitetin ndëretnik në vend.
Pjesëmarrësit ngritën gjithashtu shqetësime për ndikimin në rritje të Rusisë dhe Kinës në rajon, përmes Serbisë, duke paralajmëruar se këto ndikime po reflektohen edhe në politikat e qeverisë aktuale në Shkup.
Një nga pikat kryesore të diskutimit ishte nevoja për krijimin e mekanizmave efektivë që garantojnë barazi të plotë ndërmjet dy komuniteteve më të mëdha në vend – maqedonasve dhe shqiptarëve./ET
