Last Updated on 08/05/2026 by Monika
Nga Monika Xhani
Në ditët si kjo , ku opozita është ngritur në protestë për “hallet e popullit”, Tirana paralizohet….
Autobusët ndalojnë, rrugët bllokohen dhe qyteti “merr frymë” me vështirësi.
Në mes të bulevardit dëgjohen thirrje për demokraci, por në cep të rrugës qëndron qytetari i zakonshëm, ai që nuk ka luksin të humbasë një ditë pune, ai që pret urbanin nën shi, ai që ka një fëmijë për të marrë nga shkolla ose një prind të sëmurë për të çuar në spital. Askush nuk e dëgjon zërin e tij. Ai nuk ka mikrofon. Nuk ka podium. Ka vetëm heshtjen dhe lodhjen….
Politikanët flasin për “zërin e popullit”. Por ironia më e madhe është se pikërisht populli bëhet viktima e parë e kësaj përplasjeje politike. Sepse ai që ka makinë me shofer, eskortë dhe privilegje nuk e ndien bllokimin e rrugëve si qytetari që jeton me orarin e urbanit dhe me stresin e bukës së përditshme.
Shumë njerëz nuk janë kundër protestës. Protesta është e drejtë dhe duhet të ekzistojë në një vend demokratik. Por njerëzit janë lodhur duke paguar çmimin e konflikteve politike. Janë lodhur duke qenë gjithmonë ata që sakrifikohen, ndërsa politika vazhdon të bëjë të njëjtën lojë prej vitesh.
Në fund të ditës, protesta mbaron. Mikrofonët fiken. Liderët largohen. Por qytetari kthehet në shtëpi i lodhur, me nerva, me orë të humbura dhe me ndjesinë se askush nuk mendon realisht për të.
Dhe kjo është drama më e madhe e këtij vendi. Opozita “bërtet” në emër të popullit, por nuk e ndjen kurrë dhimbjen e tij….
Ne kemi nevojë për ndryshim. Për qetësi. Për dinjitet. Dhe mbi të gjitha, për politikanë që e duan këtë vend më shumë sesa pushtetin e tyre.
