Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ka publikuar të dhënat e kontrollit teknik të mjeteve që iu nënshtruan testimeve pranë Qendrave të Kontrollit Teknik në të gjithë vendin, për periudhën Janar- Prill 2026.
Sipas të dhënave nga DPSHTRR, gjatë katër muajve të parë të këtij viti janë testuar gjithsej 126 mijë e 719 mjete të kategorive të ndryshme, në kuadër të verifikimeve periodike që synojnë rritjen e sigurisë rrugore dhe garantimin e standardeve teknike të mjeteve që qarkullojnë në rrugët e vendit.
Pjesën dërrmuese të testimeve e zënë automjetet e kategorisë 4+1 dhe 8+1 vende, të cilat rezultojnë edhe mjetet më të përdorura nga qytetarët. Konkretisht, janë kontrolluar 112 mijë e 164 automjete të kësaj kategorie, që përfaqësojnë 88.5% të totalit të mjeteve të testuara gjatë kësaj periudhe.
Ndërkohë, kontrolleve teknike iu nënshtruan edhe 6 mijë e 888 kamionë, ose 5.4% e totalit. Po kështu, janë testuar 5 mijë e 494 motomjete, që përbëjnë 4.3% të totalit të mjeteve të kontrolluara. Gjatë muajve Janar- Prill janë kontrolluar edhe 1 mijë e 261 autobusë, 483 rimorkio, si dhe 429 mjete ndërtimi dhe punimi toke.
Nga ana tjetër, 2.538 mjete me moshë mesatare 22 vjeçare janë çregjistruar përfundimisht ose 35.3% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Arsyeja e çregjistrimit të mjeteve të vjetra janë standarde të sigurisë të paplota, mungesë kushtesh teknike, amortizim dhe konsum i lartë, thekson DPSHTRR.
Ky proces rrit sigurinë rrugore dhe kufizon qarkullimin e mjeteve që paraqesin rrezik.
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor bën të ditur se procesi i kontrollit teknik mbetet një nga hallkat kryesore për garantimin e sigurisë në qarkullim, uljen e riskut të aksidenteve dhe respektimin e standardeve teknike e mjedisore nga drejtuesit e mjeteve.
