Ushtria ukrainase duhet të tërhiqet nga Donbasi që procesi i paqes të ecë përpara, tha ndihmësi i presidentit rus, Yury Ushakov. Bisedimet midis Moskës dhe Kievit do të mbeten të bllokuara deri atëherë, i tha ai gazetarit Pavel Zarubin, duke shtuar se qeveria ukrainase e di këtë.
Rusia dhe Ukraina kanë zhvilluar disa raunde bisedimesh, përfshirë edhe me ndërmjetësimin e SHBA-së, që nga fillimi i vitit 2025, kur Presidenti Donald Trump u kthye në Shtëpinë e Bardhë. Procesi është ngadalësuar pas takimit të fundit të ndërmjetësuar nga SHBA-të në Gjenevë në shkurt.
Sipas Ushakov, çdo takim i ri nuk do ta ndryshojë situatën nëse trupat ukrainase nuk tërhiqen. “Derisa Ukraina të bëjë hapin, mund të zhvillohen edhe disa raunde, dhjetëra raunde bisedimesh, por ne do të mbetemi në të njëjtin vend”, tha ai.
“Ata në Ukrainë e dinë se kjo duhet bërë dhe do ta bëjnë herët a vonë”, deklaroi ndihmësi presidencial. Ushakov tha gjithashtu se Moska mban kontakte të ngushta me Uashingtonin kur bëhet fjalë për procesin e paqes, duke shtuar se të dërguarit e Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, mund të vizitojnë Rusinë “së shpejti”.
“SHBA-të tani janë më të preokupuara me krizën e Lindjes së Mesme, por nuk po e braktisin çështjen e Ukrainës”, tha ai, ndërsa shtoi se Moska dhe Uashingtoni “komunikojnë në mënyrë aktive me telefon”.
Më herët këtë javë, Ushakov e quajti një tërheqje të mundshme të Ukrainës nga Donbasi “një hap serioz” që do të çonte shumë përpara procesin e zgjidhjes. Veprimet ushtarake do të ndërpriteshin pas kësaj, deklaroi ai të enjten./mxh
