Bota e kinemasë dhe teatrit ka humbur aktorin britanik Michael Pennington, i cili është ndarë nga jeta në moshën 82-vjeçare.
Pennington u bë i njohur për publikun ndërkombëtar falë interpretimit të Moff Jerjerrod në “Return of the Jedi”, filmi i vitit 1983 pjesë e sagës ikonike “Star Wars”. Personazhi i tij ishte oficeri perandorak që drejtonte ndërtimin e “Death Star”-it të dytë në universin e krijuar nga George Lucas.
Përtej famës në ekran, ai konsiderohej një prej emrave më të respektuar të teatrit britanik, veçanërisht për interpretimet në veprat e William Shakespeare. Pas përfundimit të studimeve në Trinity College në Cambridge, Pennington iu bashkua Royal Shakespeare Company në vitin 1964, ku ndërtoi një karrierë të gjatë dhe të vlerësuar nga kritika.
Një nga rolet më të spikatura të tij ishte Hamleti, të cilin e interpretoi në vitin 1980, performancë që u konsiderua ndër më të mirat e kohës. Regjisori i njohur John Barton e kishte përshkruar atë si “një talent të rrallë skenik”.
Karriera e tij përfshiu edhe projekte të shumta në televizion dhe film. Në vitin 2011 ai u shfaq në filmin “The Iron Lady”, ku interpretoi politikanin Michael Foot përkrah Meryl Streep. Publiku e kujton gjithashtu nga rolet në adaptimin e “Hamlet” nga Tony Richardson dhe seriale si “The Return of Sherlock Holmes”.
Përveç aktrimit, Pennington ishte edhe autor librash, duke shkruar mbi Shakespeare-in dhe udhëtimet e tij, mes tyre edhe librin “Rossya: A Journey Through Siberia”.
Pas lajmit për vdekjen e tij, figura të njohura të artit kanë reaguar me mesazhe prekëse. Aktorja Miriam Margolyes e kujtoi si një mik të vjetër dhe artist të jashtëzakonshëm, duke shprehur trishtimin për humbjen e tij./mxh
