Last Updated on 12/05/2026 by Anisa
Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, komentoi situatën aktuale brenda opozitës dhe zhvillimet në selinë blu i ftuar në “Studio24”.
Duke u ndalur te gara për kreun e PD-së, ku Sali Berisha kandidon i vetëm, Baçi theksoi se askush nuk mund t’u imponojë demokratëve se kë duhet të zgjedhin si kryetar. Ai u shpreh se Berisha gëzon mbështetje dërrmuese dhe se çdo kandidat tjetër nuk do të arrinte as 4% të votave.
Sa i përket zërave për 3-4 kandidatura alternative që nuk u pranuan në garë, Baçi deklaroi se bëhet fjalë për individë që “janë porositur të dalin”, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi këtë pretendim.
“Nuk do merrem me retorikën për të thënë që atje nuk ka garë. Berisha është i pakonkurrueshëm. 3-4 figura të falin por jo individë që i porosisin që të dalin aty. Sali Berisha ka vërtetuar që me vota është kryetar i partisë. Ka shumicën dërrmuese. Kushdo që garon me Berishën as 4% të votave nuk merr. Berisha është sot për sot bashkuesi i opozitës. Ka disa partia parlamentare ose jo. Por nuk janë ata që do venë kushte partisë më të madhe opozitës kë do venë kryetare. Nuk i themi ne partive të reja kë keni kryetar ose jo.
Është qejfi i tyre. Ne kemi kryetar Sali Berishën. E zgjedhim ne kryetarin. Ata nuk duan të bashkohen, le ta gjejnë vetë hallin. Kemi Kodin zgjedhor. Zoti Lapaj, ka bërë propozimin për kodin, Berisha ka pranuar atë kod zgjedhor që ka propozuar zoti Lapaj. Me prag 4%. Nëse zhduket nën 4% nuk ja vlen. Nëse tremben nga pragu nuk janë parti politike. Janë propozuar lista të hapura, koalicione parazgjedhore. Po të miratohet një kod i tillë, nuk do ketë shumë nga ata që duan të futen në parlament. nëse u leverdis për të prishur le ta prishin. Nuk janë për rotacionin.”
I pyetur nga gazetarja nëse opozita mban përgjegjësi që nuk i ndaloi më herët këto zhvillime, Baçi u përgjigj se opozita nuk kishte mundësi tjetër përveç protestave dhe denoncimeve, duke shtuar me tone të ashpra se “vetëm të merrnim kallashin dhe t’i dilnim përpara Ramës”.
Pas reagimit të gazetares për gjuhën e përdorur, Baçi theksoi se sipas tij situata politike është rënduar aq shumë, sa “vetëm ajo ka ngelur për të bërë”./A.D
