Last Updated on 12/05/2026 by EL
Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, deklaroi sot në mbledhjen e Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme se Shqipëria po avancon me ritme rekord në procesin e integrimit europian, duke shprehur bindjen se negociatat për anëtarësim në Bashkimi Europian mund të mbyllen brenda Krishtlindjeve të vitit të ardhshëm.
Balla vlerësoi punën e ekipit negociator dhe të kryenegociatores, duke e cilësuar objektivin si ambicioz, por të arritshëm. Sipas tij, edhe Kuvendi ka një rol kyç në respektimin e afateve dhe në miratimin e ligjeve që lidhen me përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë europian.
Gjatë diskutimeve, ai iu përgjigj kritikave të opozitës lidhur me mungesën e informacionit për ligjet e integrimit, duke theksuar se çdo projektligj publikohet në faqen zyrtare të Kuvendit dhe shoqërohet me tabelat përkatëse të përafrimit me acquis communautaire.
Balla u bëri thirrje deputetëve të opozitës që të kontribuojnë me votën e tyre për procesin e integrimit europian të vendit. “Mjafton një karton jeshil për Shqipërinë dhe për anëtarësimin në Bashkimin Europian”, u shpreh ai.
Në fjalën e tij, Balla solli edhe vlerësimet e zyrtarëve europianë për progresin e Shqipërisë. Ai përmendi komisioneren Marta Kos, e cila e ka cilësuar Shqipërinë “shembulli më i mirë i fuqisë transformuese të zgjerimit”, si edhe shefen e diplomacisë europiane Kaja Kallas, e cila ka deklaruar se Shqipëria duhet të përgatitet për të pasur kandidatët e saj në zgjedhjet europarlamentare të vitit 2029.
Duke iu referuar raportit të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian (AFET), Balla tha se Shqipëria konsiderohet ndër vendet më të avancuara në procesin e zgjerimit të BE-së, ndërsa theksoi se progresi i vendit është vlerësuar pozitivisht edhe nga presidencat europiane./et
