Last Updated on 13/05/2026 by Anisa
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka reaguar lidhur me lajmet e publikuara në mediat ndërkombëtare për një ndërprerje të mundshme të marrëveshjes së emigrantëve mes Shqipërisë dhe Italisë në vitin 2030.
Debati nisi pas një interviste të ministrit të Jashtëm shqiptar Ferit Hoxha në një media të huaj, ku deklarata e tij u interpretua si një sinjal pasigurie për rinovimin e protokollit pas përfundimit të periudhës fillestare pesëvjeçare.
Pas reagimeve të shumta, Hoxha sqaroi se deklarata e tij ishte keqkuptuar nga media dhe se përgjigjja kishte qenë një reflektim spontan gjatë një pyetjeje nga një gazetar në Bruksel.
“Një gazetar në Bruksel më pyeti nëse protokolli ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë do të rinovohej pas përfundimit të periudhës fillestare pesëvjeçare. Unë iu përgjigja duke thënë: ‘Nuk jam i sigurt’, duke supozuar se deri atëherë Shqipëria do të jetë një shtet anëtar i Bashkimit Evropian dhe situata, për rrjedhojë, do të jetë ndryshe”, deklaroi ai.
Më pas reagoi edhe kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se marrëveshja me Italinë mbetet në fuqi dhe nuk ka asnjë ndryshim të qëndrimit të qeverisë shqiptare.
“Për të gjithë gazetarët nga Italia dhe më gjerë, që po më kontaktojnë për një citim të keqinterpretuar nga një media pas intervistës së ministrit të Jashtëm shqiptar: dua të ritheksoj qartë dhe njëherë e përgjithmonë se protokolli ynë me Italinë do të qëndrojë në fuqi për sa kohë që Italia dëshiron”, u shpreh Rama.
Pas kësaj deklarate erdhi edhe reagimi i Melonit, e cila shpërndau postimin e Ramës në rrjetet sociale, duke e shoqëruar me mesazhin e shkurtër: “Grazie Edi”./A.D
